Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Eprorit të FSK-së i hapet rast për dëmtim prone në QKUK

Një eprori të Forcave të Sigurisë së Kosovës i është hapur rast në polici për dëmtim prone. 

KALLXO.com mëson se i njëjti në orët e para të mëngjesit të sotëm ka dëmtuar disa gjësende në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më saktësisht në Repartin e Gjinekologjisë. 

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, i cili tregoi përmes telefonit se pjesëtari i FSK-së ka pasur bashkëshorten të hospitalizuar në këtë klinikë dhe pas disa problemeve shëndetësore nën afekt ka dëmtuar edhe disa gjësende në repart. 

Ismajli tregoi se eprori i FSK-së gjatë ditës së sotme ka shkuar sërish në repart dhe ka kërkuar falje për sjelljen e tij me arsyetimin se ka qenë i shqetesuar për gjendjen e bashkëshortes. 

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Policia në lidhje me rastin. 

Në Policinë e Rajonit të Prishtinës është hapur rast ndaj eprorit për dëmtim prone. 

“Sot rreth orës 02:30, kemi pranuar informatën për një rast Dëmtim Prone, që ka ndodhur në QKUK.  Nga ana e policisë, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë këtu edhe intervistimin e personit të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e policisë drejtuar KALLXO.com. 

Tutje Policia ka thënë se rasti po trajtohet në koordinim me prokurorinë përkatëse.