Eproret e policise ne takimin me Aleksandar Vuciq, Foto: KALLXO.com

Eprorët policorë që morën pjesë në takim me Vuçiqin, temë diskutimi në mes ish drejtorit dhe drejtorit aktual të Policisë

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë gjatë ditës së 22 marsit në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pjesëmarrja e këtyre eprorëve ka qenë temë diskutimi edhe në raportimin e Drejtorit të Policisë, Samedin Mehmeti para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ish drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, i cili tashmë është deputeti i Kuvendi të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i këtij komisioni është interesuar të dijë se pse nuk janë suspenduar këta epororë para se rasti i tyre të dërgohet në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Sipas Qalajt, drejtori aktual i Policisë, ka mandat që të bëjë një veprim të tillë.

“Kemi pas eprorë të Policisë së Kosovës që kanë marr pjesë në takim në veri, e dimë që i keni çu në IPK, por pasi drejtori e ka mandatin me i suspendu pastaj me i çu në IPK, mendoj që është dashtë me i suspendu, pastaj me i dërgu për trajtim rastet e tyre”, ka thënë Qalaj.

Mehmeti ka thënë se do mund të ndodhte një gjë e tillë, por sipas tij është vlerësuar se së pari eprorët pjesëmarrës në takimin e thirru nga Vuçiqi do ishte më mirë që së pari të hetohen nga IPK-ja.

“Për eprorët e policisë në veri që kanë marr pjesë në takim me Vuçiqin, ne e kemi vlerësu se ata duhet të hetohen pastaj të marrim masa. Ndoshta kish mujt me qenë edhe varianti i juaj, por ne e kemi vlerësu që me i qu në IPK fillimisht”, është shprehur Mehmeti.

Në diskutime sipër gjatë raportimit, deputeti Qalaj ka përmendur edhe një koment të Mehmetit, që sipas tij ky i fundit e ka bërë në një vizitë tek kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Më ka brengos që kur ju ka prit Kurti në takim i keni thanë urime se kama e policisë është hera e parë që po hec në veri. Po kjo nuk është e vërtetë”, iu është drejtuar Qalaj drejtorit të Policisë.

Ndërsa, një gjë e tillë është mohuar nga vet Mehmeti.

“Për çështjen e vizitës tek kryeministri, nuk jam prej dje në polici. Nuk kam thanë që kama e policit tash ka shkel në veri. Unë i di edhe operacionet tjera. Nuk e di e qysh është transmetu”, tha Mehmeti.

Tutje është diskutuar edhe për çështjen e sigurisë në trafik në vend.

“Ka fusha që është bërë punë e mirë, por ka edhe fusha që po ka problem. Për shembull fusha e trafikut që ka ende probleme. Ende në rrugë kemi mungesa të kamerave statike që para dy viteve ka pas donacion por kurrë nuk janë vendos”, ka thënë Qalaj.

Ndërsa, për të njëjtën çështje, drejtori i Policisë ka thënë se problemet në trafik nuk mund të zgjidhën vetëm nga ana e Policisë.

Sipas Mehmetit do të ishte ndihmesë në zgjidhjen e këtij problemi nëse do të kalonte ligji për trafikun.

Mehmeti ka thënë se nëse ky ligj do të kalonte, do të mund të shfrytëzoheshin disa pajisje të cilat janë blerë, por që nuk mund të përdoren pasi nuk e lejon ligji.

“Po ju luti që ta kaloni ligjin për trafik, na i kemi ble pajisjet e kemi nënshkru kontratën por nuk mundemi me përdor pasi ligji nuk na lejon”, tha Mehmeti duke shtuar se Policia ka pas aktivitete të shtuara në këtë aspekt.

Pas raportimit të KALLXO.com, IPK po trajton rastin e eprorëve policorë që morën pjesë në takim me Vuçiqin