Enver Sekiraqa kërkon drejtësinë në Apel

5 muaj kanë kaluar nga koha kur Enver Sekiraqa është dënuar për të dytën herë për vrasjen e Triumf  Rizës.

Më 16 shtator 2019, Gjykata e gjeti fajtor për herë të dytë  Enver Sekiraqën për vrasjen e policit Triumf Riza  dhe  i shqiptoi  dënim kapital prej 30 vitesh burgim efektiv.

Lidhur me këtë vendim, avokatja e Sekiraqës avokatja Kosovare Kelmendi është ankuar në Gjykatën e Apelit.

“Kam paraqitur ankesë ndaj vendimit mbi të gjitha bazat, lënda është në apel e jemi tu e prit ftesën për seancë të kolegjit në Gjykatën e Apelit”, tha ajo.

Zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari, për KALLXO.com tha se lënda  ishte dërguar  në Gjykatën e Apelit më 14 shkurt dhe te njëjtën ditë i është dërguar për mendim Prokurorit të Apelit.

Më  17 maj 2016, Enver Sekiraqa ishte dënuar për herë të parë nga Gjykata e Prishtinës me 37 vjet burg.

Por Gjykata e Apelit në maj të vitit 2016, çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Enver Sekiraqa sipas aktakuzës, e kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës me datën 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij dhe  ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha. Tre prej plumbave ishin vdekjeprurës për të.

Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje me plot  35 vite burg.

Drejtori i medias kërkon përjashtimin e gazetarëve nga gjykimi i Sekiraqës