Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hoxhaj: PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri të besimi qytetar

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoxhaj ka reaguar pasi PDK-ja caktori datën 3 korrik për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Ai ka shkruar se është mohim i padrejtë që PDK-ja të ketë në gjirin e saj Kadri Veselin, pas aktakuzave, sipas tij, të pabaza. E kjo, sipas Hoxhajt, ka sjellë një situatë të rëndë emocionale dhe të vështirë në parti.

“Në këto 8 muaj të udhëheqjes së partisë si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit, kam takuar dhjetëra e qindra aktivistë, themelues, qytetarë e struktura nëpër të gjithë Kosovën. Kam dëgjuar me vëmendje e kërshëri secilin opinion e propozim për rrugën që duhet të ndjekë PDK-ja në të ardhmen”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, ai ka thënë se si partia më e madhe opozitare në vend, është detyrë dhe obligim ndaj aktivistëve që të marrë fund ‘status-quo’ dhe të hapet debati i brendshëm.

“Shoqëria jonë në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar dhe krahas saj duhet që të ndryshojë edhe PDK-ja, pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron tek lufta e UÇK-së për liri e pavarësi”.

Hoxhaj, në fund, ka përmendur edhe dy ish kryetarët e PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

“Duke u ndjerë dhe sjellë me krenari për të kaluarën tonë të lavdishme politike e shtetndërtuese dhe për punën e themeluesve e kryetarëve të saj, miqve të mi me të cilët kemi rrugëtuar bashkë në këto 30 vitet e fundit, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar”, ka shkruar në fund Enver Hoxhaj.

Zgjedhjet për kryetar të PDK-së, kush janë pesë më të votuarit e partisë në zgjedhjet e fundit?