
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Enver Hoxhaj, nënkryetar i ri i Kuvendit
Me 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar mocion procedural që të hyjë si pikë e parë e rendit të ditës zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga PDK.
Sipas Tahirit, pas dorëheqjes së nënkryetarit të PDK-së Bedri Hamza, PDK-së i takon kjo pozitë.
“Unë sot kërkoj ta vendosim si pikë të parë të rendit të ditës zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së”, tha Tahiri duke e propozuar Enver Hoxhaj për këtë pozitë.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka mbajtur pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, por kishte dhënë dorëheqje më 1 nëntor 2021, pasi kishte fituar zgjedhjet komunale në Mitrovicën e Jugut në raundin e parë të zgjedhjeve.