Komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. 05.07.2024. Foto: KALLXO.com
Enver Hoxhaj kritikohet për punësimet e diplomatëve, "trazohen ujërat" brenda komisionit hetimor
Çështjet e ndërlidhura me konkursin e vitit 2011 në Ministrinë e Jashtme kanë shkaktuar sërish përplasje në mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe atyre të opozitës, sa që deri në fund të mbledhjes së Komisionit hetimor parlamentar, në të cilën po intervistohej dëshmitari i parë, ish-sekretari i kësaj ministri, Behar Isma, nga opozita mbeti vetëm kryesuesja, Time Kadrijaj (AAK).
Pasi Isma tha se punësimet e paligjshme kanë ndodhur gjatë kohës kur ministër i Punëve të Jashtme ka qenë Enver Hoxhaj, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, reagoi me zë të lartë duke thënë se ai nuk ka të drejtë të jap konstatime dhe se rasti për këtë është në gjykatë. Minuta më pas, ajo u largua nga mbledhja e komisionit.
Të pranishëm deri në fund të mbledhjes që zgjati më shumë se dy orë ishin kryesuesja Time Kadrijaj dhe deputetët: Fitore Pacolli dhe Arbëresha Kryeziu-Hyseni (LVV), Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli nga (Lista Guxo-LVV) dhe Erxhan Galushi nga Grupi Multietnik.
“Ministri ka qenë i opozitës së tanishme, i koleges deputete këtu, Enver Hoxhaj, në periudhën më të gjatë të gjithë këtyre emërimeve”- tha Isma para Komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Isma shtoi se emërimet që nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat ligjore kanë ndodhur ndër vite duke përdorur si referencë konkursin e vitit 2011.
Kjo deklaratë nxiti reagimin e deputetes nga radhët e PDK-së.
“Rasti është në gjykatë për të cilën ti nuk ke kompetencë, rasti është në gjykata, gjykata jep verdiktin final. Nuk je personi kompetentë me jep konkluza të tilla”- tha Musliu-Shoshi para se ta braktiste sallën.
Kjo përplasje ndodhi pasi deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, e pyeti të intervistuarin Isma, se nga cili vit ka vërejtur se ka nisur të zbatohet Ligji për shërbimin e jashtëm.
Për këtë konkurs të vitit 2011 që ishte tema kryesore e mbledhjes, Isma gjatë përgjigjeve të deputetëve tha se përmes procedurave të këtij konkursi del se janë propozuar disa kandidatë të cilët janë jashtë dispozitës ligjore.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në mars 2022 kishte shkarkuar një grup prej 10 zyrtarëve të Shërbimit të Jashtëm.Sipas arsyetimit të ministres, personat e liruar nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar.
“Ministri i asaj kohe kishte përzgjedhur persona konkretë të cilëve u ka lëshuar vendim për t’i dërguar në misione diplomatike. Përzgjedhja e tyre dhe vendimi i lëshuar për ta është bërë sipas praktikës së ngjashme me atë që bëhen emërime dhe angazhime të emëruarve politik. Vendimi për angazhimin e tyre në mision, duke pas si referencë atë konkurs, përmban vendimin, gradën, misionin, si dhe pagën në të njëjtën vendim”- tha Isma.
Tutje, ai tha se ky konkurs dhe procedura e dërgimit të emëruarve politikë me vendim të ministrit nuk ka qenë as për së afërmi në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbyesit civil. Për këtë arsye, ish-sekretari shtoi që vlerësimin e ka bërë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShCK), duke e shpallur veten jo-kompetent për të vendosur lidhur me ankesat, me arsyen se të shkarkuarve u mungojnë akt-emërimet, sepse rrjedhimisht ata nuk kanë mundur të dëshmojnë se janë pranuar si shërbyes civil.
“Në vitin 2022, 12 janar, jam ballafaquar me ankesën e një kolegeje për një ankesë të bërë në vitin 2021 … Në këtë vendim, KPMShCK e shpallë veten jokompetent. Ankuesja ishte emëruar si nënpunëse e përkohshme e pastaj si ambasadore”- tha Isma.
Ai deklaroi se rastet i kanë dërguar me zarf të mbyllur në Prokurori në vitin 2022, por ende nuk kanë ndonjë përgjigje.
Për të njëjtin konkurs, Isma tha se me rastin e kthimit nga misioni i tyre, një pjesë e diplomatëve janë sistemuar në Ministri dhe kanë udhëhequr departamente, gjë që sipas tij është e jashtëligjshme, pasi që, pasi të lirohen nga detyra me dekret, në asnjë mënyrë nuk mund të sistemohen më në ministri.
Isma është ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Përveç për konkursin e vitit 2011, ai u pyet edhe për pozitat e tij përgjatë viteve dhe për arsyet pse ka qëndruar 2 vjet e dy muaj në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit.
Isma tha se pozitën e u.d e ka mbajtur sipas ligjit dhe rregullave dhe se edhe për gradimet nuk ka pasur kapërcim të ligjit dhe Rregullores për shërbimin e jashtëm. Ai tha se punën në ministri e ka filluar kur në pushtet ishte një parti tjetër, përmes një burse të fituar nga Komisioni Europian në vitin 2014, që më pas e obligonte të kryente punë në administratë. E, tek më 10 janar 2022, është emëruar u.d sekretar.
Në pyetjen e deputetes Musliu-Shoshi, nëse ai ka mbajtur pozita tjera gjatë punës së tij si sekretar, Isma tha se detyra e tij ka qenë që të koordinoj punë edhe të njësive përkatëse kur nuk ka pasur staf.
“Unë kam koordinu punë të njësive përkatëse. Kam detyrë që të koordinoj. Nuk kam pasur formalisht pozitë tjetër”- tha ai.
Ndërkohë, Isma tha që kur ka nisur punën në MPJD, ka gjetur 2.2 milionë euro avance të pambyllura.
Sipas tij, këto shpenzime kanë qenë operacionale dhe personale të misioneve diplomatike.
“Kjo ka rezultu në sfida të financimit të misioneve diplomatike. Si rezultat i reformës ne kemi pasur rritje të buxhetit. Nga 30 milionë në vitin 2021, në 47 milionë në vitin 2024. Si rezultat i kësaj kemi arritur t’i blejmë 5 ambasada”- shtoi ai.
Deputetja Arbëresha Kryeziu- Hyseniu tha se keqpërdorimet që janë bërë gjatë pushteteve tjera në misionet diplomatike kanë qenë “gjakderdhje financiare”.
“Edhe pse i kanë liruar detyrat, kanë paguar qiratë me para të Ministrisë e që është gjakderdhje financiare. Nuk e di që ka ndonjë rast që tash diplomatët blejnë tesha me pare të Ministrisë”- tha ajo.
Që nga fillimi i këtij komisioni, që katër muaj, mbledhjet kanë vijuar me grindje të njëjta. Tri herë iu ishte dashur të mblidhen për të përzgjedhur ekspertët e pavarur, Gëzim Kolgecin, Shkëlqim Jakupin dhe Shpend Shabani.
Në takimin e parafundit, më datë 05.07.2024, deputetët Fitore Pacolli dhe Jeta Statovci nga koalicioni me Listën Guxo, e braktisën mbledhjen e komisionit hetimor parlamentar, pas përplasjes me fjalë mes tyre dhe deputetëve të opozitës.
Iniciatorja e komisionit, deputetja Musliu-Shoshi kishte kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.
Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.
Ndër tjera, ajo kishte kërkuar procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e ish-sekretarit Behar Ismës, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.
Ende ky komision hetimor nuk ka arritur të siguroj qasje në të gjitha dokumentacionet të cilat janë kërkuar nga MPJD-ja për të vazhduar më tutje punën e tyre.