Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hoxhaj komenton kandidaturën e Ramiz Lladrovcit

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj i cili aktualisht mbanë edhe postin e kryetarit të kësaj partie, ka komentuar shpalljen e kandidaturës për një mandat të dytë nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Lladrovci sot shpalli kandidaturën për një mandat të dytë në komunë, duke theksuar se persona brenda partisë nuk e përkrahën dhe dega u distancua nga ai.

“Kryesia e PDK-së në mbledhjen që kemi mbajtur dje ka marrë këto vendime, të gjithë anëtarët e kryesisë së partisë janë pjesë e listës për të qenë deputetë dhe të gjithë deputetët që janë deputetë aktualisht janë pjesë e listës dhe së treti të gjithë kryetarët aktual të Komunave që drejtohen nga PDK-ja garojnë për zgjedhjet lokale kur mbahen në fund të vitit, kjo vlen për z. Lladrovci dhe së katërti secili kryetar i degës së PDK-së duhet të jetë në listë”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.

Hoxhaj tha që kur të mbahen zgjedhjet lokale brenda këtij viti, Lladrovci do të ketë mbështetjen e plotë të PDK-së për të garuar edhe për një mandat të dytë të Drenas.

“Unë i dëshiroj z. Lladrovci , z.Aliu dhe të gjithë kryetarëve aktual suksese në zgjedhjet që do të mbahen. Kur të mbahen zgjedhjet Ramizi do të ketë mbështetjen tonë”, theksoi Hoxhaj.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka shpallur kandidaturën e tij për të garuar për postin e të parit të kësaj komune.

Lladrovci përmes një postimi ka thënë se persona të caktuar të Partisë Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se ai nuk është person i dëshirueshëm dhe se ka pasur distancim të degës së këtij subjekti nga ai.

“Pas nëntorit, Dega e PDK-së në Drenas me disa keqbërës jo vetëm nga dega në Drenas por edhe më gjerë, filluan të mohojnë emrin tim si kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit. Kishte të tillë që deklaronin se dega nuk e duron kryetarin e komunës që nuk është i dëgjueshëm. Madje, pati edhe një distancim publik nga anëtarët e kryesisë së Degës për mua dhe punën time”, ka shkruar Lladrovci.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një prononcim nga kryetari i degës në Drenas, deputeti Sejdi Hoxha, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti ai nuk ka dhënë përgjigje.

Ramiz Lladrovci shpall kandidaturën për kryetar të Drenasit, thotë se PDK nuk e përkrahu