Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hoxhaj e quan skandaloz vendimin e Qeverisë për shtesat në skemat pensionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka cilësuar skandaloz, të papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimin e Qeverisë Kurti, për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infermierët.

Përmes rrjetit social ‘Facebook’, Hoxhaj ka thënë se ‘kjo Qeveri i la gjyshërit tanë pa vaksina, e tani po ua zvogëlon edhe atë pak mbështetje që u duhet për ilaçe.

“Pritja nga qeveria për ta lehtësuar barrën e rënduar ekonomike, shëndetësore e sociale për qytetarët të goditur nga pandemia, e konkretisht për mjekët, punëtorët shëndetësorë e të moshuarit – përkundrazi u kthy kundër tyre duke përgjysmuar shtesat financiare. Mungesa e dorës së shtetit fatkeqësisht po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.

Gjatë ditës së djeshme, Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transfereve, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka treguar rreth shumës së mjeteve që janë ndarë për zyrtarët policorë dhe punëtorët shëndetësorë të angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Një pako 20 milionë për të ndihmu apo zbut efeketet e pandemisë që ka pasur në ekonominë e vendit dhe për të ndihmuar ata që po përballen në frontin e parë. Me saktësisht bëhet fjalë 6 milionë euro për gastronominë dhe bizneset tjera si qendrat tregtare, fitneset. Kjo masë do të subvencionojë pagat dhe qiratë deri në 50%”, tha Murati.

“Shtesa 150 euro për sektorin shëndetësorë, për muajt prill dhe maj, 100 euro për stafin teknik dhe 100 euro për sektorin e sigurisë (policinë), për ata që kanë qenë të angazhuar për zbatimin e masave”.

Ministri Murati gjithashtu bëri të ditur se nga kjo shumë prej 20 milionë eurove do të përfshihen edhe përfituesit e skemave sociale e pensionale.

“Për skemat sociale do të ndahen 30% për shumën që ata e marrin normalisht. Tek skemat pensionale, do të bëjmë subvencionim, për skemat që janë nën 100 euro do të subvencionohen deri në nivelin kur arrijnë në 100 euro”.