Enver Hasani - Foto; REL

Enver Hasani: Thirrja e Thaçit për rezistencë - shkelje flagrante e Kushtetutës

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, e ka cilësuar kundërkushtetuese thirrjen e Presidentit Hashim Thaçi për mosrespektimin e vendimit të Qeverisë.

Sipas Hasanit, kjo thirrje është tërësisht kundërkushtetuese.

“Sjellja e Presidentit te Republikës sot është tërësisht antikushtetuese dhe nën çdo nivel  të postit që e mban. Nuk ka të drejtë Presidenti i vendit me ba thirrje për rezistencë. Të drejtën për thirrje në rezistencë e kanë vetëm disa Kushtetuta të rralla dhe në Evropë është vetëm Gjermania si pasojë e përvojës së hidhur me Hitlerin”, ka thënë Hasani.

Ai shtoi se Presidenti është garantues i funksionimit të institucioneve ndërsa sonte ai ka tregu që është pengues i funksionimit të tyre.

Në fund Hasani tha se në një gjendje traumatizuese në të cilën është vendi thirrja për rezistencë është kundërkushtuese dhe moralisht e papranueshme.

Sonte, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u bëri thirrje publike qytetarëve për mosrespektim të vendimit të Qeverisë.

Thaçi vendimin e Qeverisë e cilësoi në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës sonte ka marrë vendim që të kufizoje lëvizjen e qytetarëve si masë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Sipas vendimit të Qeverisë qytetarët nuk mund të lëvizin nga ora 10 deri në orën 16:00, dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.