Enver Hasani

Enver Hasani: Presidenti nuk mund ta heqë tarifën edhe nëse aprovohet dekreti për gjendjen e jashtëzakonshme

 

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ka thënë për KALLXO.com, se presidenti mund të nxjerrë dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme pa pëlqimin e kryeministrit.

Hasani deklaroi se ky dekret ka efekt vetëm nëse votohet në Kuvend në të kundërtën nuk prodhon asnjë efekt.

“Presidenti e jep dekretin në konsultim me kryeministrin, dekreti ka efekt vetëm atëherë kur miratohet në kuvend me 2/3 e atyre që janë prezent kur votojnë. Kur thuhet në konsultim do të thotë se për këtë nuk kërkohet pëlqimi i kryeministrit”, ka thënë ish-kreu i Kushtetueses.

Hasani shtoi se në rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme presidenti është vetëm menaxher i asaj gjendje dhe se çështjet e tarifës nuk ka të drejtë as t`i diskutojë.

“Kushtetuta nuk suspendohet, nuk mund t`i merren as nuk mund t`i shtohen kompetencat asnjë organi, presidenti ka kompetenca vetëm për gjendjen e jashtëzakonshme, tarifën as nuk guxon me diskutu, dhe asgjë tjetër përpos gjendjes së jashtëzakonshme, ai është vetëm menaxher i gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Hasani.

Mbrëmë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas mbledhjes së këshillit të sigurisë në një konferencë për media ka kërkuar nga Kuvendi që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë.

Deri tek ky vendim presidenti erdhi pas konfirmimit të 19 rasteve me virusin corona.

Qeveria: Gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti është masë ekstreme

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 190 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.