Enkel Demi: Duhet ta njohim letërsinë e njëri-tjetrit

Enkel Demi shpreson shumë që Çmimi Evropian për Letërsinë që ai mori në mars do të ndihmojë kauzën e shkrimtarëve që të bëhen më të njohur në Ballkan.

U deshën vetëm disa javë që ai të bëhej i njohur përtej kufijve të tij kombëtar, pasi një shtëpi botuese serbe trokiti në derën e tij.

Demi u zgjodh si një nga fituesit e Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsi për vitin 2021 së bashku me 13 autorë të tjerë nga vendet pjesëmarrëse.

“Një nga kuriozitetet e mia më të mëdha është se sapo kam arritur një marrëveshje me një shtëpi botuese serbe dhe dua të shoh se si serbët do të reagojnë ndaj kësaj letërsie”, tha Demi në një intervistë për BIRN.

“Unë personalisht e njoh letërsinë e vendeve fqinje dhe kam mendimet dhe shijet e mia, por tani që u raportoj atyre, kjo është diçka që mbetet për t’u zbuluar, mbetet për t’u parë”, thotë ai.

Shkrimi në një “gjuhë të vogël”

Demi, i cili deri pak kohë më parë botonte nën pseudonimin Tom Kuka, thotë se duhet të jetë normale që audienca e rajonit që e pëlqen letërsinë të lexojë veprat e njëri-tjetrit.

Është këndshëm “të lexosh letërsi të mirë, sepse tani ka edhe idiotësi… kur letërsia përzihet me politikë dhe nacionalizëm dhe bëhet e bezdisshme”, shton ai.

Por ai gjithashtu ndjen keqardhje për veten që nuk mund të lexojë autorët e rajonit, nëse veprat e tyre nuk përkthehen në shqip.

“Duhet të pres të shoh se çfarë përkthehet në shqip sepse nuk i flas gjuhët e rajonit”, thotë ai.

Aktualisht, ai po lexon një vëllim me tregime nga një autor serb i cili jeton në Itali. “Dua të zbuloj se cila është bota e tyre dhe si e shohin ata botën”, thotë ai.

Ai nuk e sheh këtë si një qëllim në vetvete. “Jam i interesuar për artin e të shkruarit. Dua të shoh se si e bëjnë ata këtë art, kështu që nuk është qëllimi im të lexoj gjithçka.”

“Thjesht dua një perceptim, sepse duke lexuar këta autorë më krijohet përshtypja se do ta kem më të lehtë t’u prezantohem atyre”, thotë ai.

Demi botoi librin e tij të parë, “Hide mbi kalldrëm”, në 2016 me pseudonimin e tij Tom Kuka. Identiteti i tij i vërtetë mbeti i panjohur për publikun deri në vitin 2018 kur ai zbuloi emrin e tij të vërtetë.

Demi është gjithashtu një gazetar dhe prezantues i njohur televiziv në vend dhe tani është autor i katër librave: Përveç “Hide mbi Kalldrëm”,  janë edhe “Gurët e Vetmisë”, “Ora e Ligë” dhe “Flama”.

Kur u shpall fitues në mars i Çmimit Evropian të Letërsisë për Shqipërinë, juria e përshkroi romanin e tij se përdor “elemente surrealiste si një mjet për të përcjellë ide, e cila arrin të tregojë bukurinë dhe mirësinë që njerëzit e thjeshtë kanë ende brenda tyre”.

“Për më tepër, gjuha e pasur dhe përdorimi i disa regjistrave, shumëllojshmëria e personazheve dhe mënyra se si libri shqyrton, nga pikëpamja antropologjike, qytetarin shqiptar të sotëm, e bëjnë romanin një përfaqësues të denjë të kontributit të Shqipërisë në letërsinë bashkëkohore ndërkombëtare”, shtoi juria.

I pyetur se përse vendosi të shkruante me emrin Tom Kuka, ai tha se nuk donte që njerëzit ta ngatërronin me “personazhin e tij televiziv”.

“Shkrova duke përdorur një pseudonim sepse nuk doja t’i ngatërroja njerëzit me personazhin mediatik që kam krijuar, pasi, dua apo jo, ekziston një dozë e madhe gënjeshtrash në ta, si të gjithë personazhet e televizionit apo radios – personazhe që krijohen bazuar në një perceptim të drejtpërdrejtë që njerëzit kanë për ta – dhe këta janë personazhe të cilët, përveç dashurisë së madhe, gjithashtu frymëzojnë një lloj zemërimi të madh”, tha ai.

Demi shton se ka ende njerëz që nuk e dinë se ai është një autor dhe “kjo është një shenjë që njerëzit lexojnë pak dhe se në Shqipëri ka pak interes për letërsinë”.

Ai thotë se arsyeja tjetër pse vendosi të botojë me një pseudonim është se ndihej i pasigurt për shkrimin e tij.

“Arsyeja e dytë është frika që kam dhe nuk e kuptoj pse e kam, sepse në fusha të tjera kam shumë besim; Unë them atë që mendoj, bëj betejat e mia, shkoj kundër rrymës – por për sa i përket letërsisë, jam shumë i ndrojtur”, thotë ai.

“Duke përdorur një emër tjetër, dukej sikur fshihesha pas gishtit tim – sikur isha më i mbrojtur”, shton ai.

Marrja e Çmimit Evropian për Letërsi do të thotë që “Flama” tani do të përkthehet edhe në gjuhë të tjera.

Kjo do të thotë shumë për një autor i cili fillimisht është botuar vetëm në shqip – një “gjuhë e vogël”, siç e quan ai, e folur vetëm në Shqipëri dhe Kosovë.

“Ky është një çmim shumë i rëndësishëm sepse krijon një mundësi për një shkëmbim më të mirë të letërsisë, jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me botën”, thotë ai.

“Është një mundësi shumë e mirë për të kontaktuar shtëpitë botuese, për të përkthyer, për t’u zgjeruar më shumë përsa i takon librave, sidomos kur ata janë të shkruar në gjuhë aq të vogla sa shqipja”, tha ai për BIRN.

COVID-19 si metaforë

Duke folur për librin “Flama”, ai tha se atë e shkroi gjatë izolimit për shkak të COVID -19 vitin e kaluar.

Libri përshkruan një sëmundje që po përhapet shumë shpejt në Tiranën e vjetër, ndërsa paralelisht me këtë ndodh një krim, të cilin një hetues, Di Hima, duhet ta zgjidhë.

Demi thotë se i pëlqen ta përdorë sëmundjen si metaforë.

“Kam krijuar në Tiranën tonë … një qytet mëkati. Në një farë mënyre, kam krijuar Sodomën dhe Gomorrën e Tiranës së një shekulli më parë, e cila është gjithashtu një reflektim i Tiranës sot. Dhe jam përpjekur ta shoh sëmundjen përmes personazheve në libër si një lloj dëmi të mbinatyrshëm, ose si një lloj dënimi hyjnor të shkaktuar ndaj mëkatit dhe mëkatit fillestar”, thotë ai, kur u pyet se si sëmundja prek njerëzit dhe shoqërinë. – dhe si është të jesh një “Di Hima” në Tiranën e sotme.

“Shoh krimin që ndodh në qytet dhe Di Hima, i cili zbulon këtë krim, është në konceptin tim një lloj njeriu zemërbutë që jeton në mes të këtij lloj mëkati kolektiv”, specifikon ai.

Në një qytet ku rrokaqiejt lulëzojnë në kurriz të zonave të gjelbra dhe ku politika ka dominuar shqetësimet e përditshme që nga shembja e komunizmit tre dekada më parë, Demi thotë: “Ne e lëndojmë veten shumë me veprimet që bëjmë.”

“Ne lëndojmë veten me gënjeshtrat që ngremë si një simbol, lëndojmë veten me vjedhje, krim dhe çoroditje, dhe pastaj, pasi e trajtojmë veten dhe qytetin në këtë mënyrë, pyesim veten se pse na ndodhi kjo fatkeqësi”, thotë ai.

“Nuk e di kur dikush në Tiranë do të pyeste ndonjëherë se përse Tirana është kaq e pajetueshme – dhe nuk besoj se për këtë duhen fajësuar amerikanët”, përfundon ai. /reporter.al