Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enes Toska: Kaosi urbanistik ndodh sepse s’respektohen lejet ndërtimore

Arkitekti nga organizata ‘Ec ma Ndryshe’, Enes Toska, ka thënë se në Kosovë nuk respektohen lejet ndërtimore të cilat lëshohen nga ana e komunave, dhe ky është faktori kryesor i kaosit urbanistik.

I ftuar në ‘KallxoPernime’ për të diskutuar planin hapësinor të komunës së Prizrenit, Toska ka thënë se në Kosovë ndodhi kaosi meqë ndërtimet nuk inspektohen.

“Investitori kur të vjen e bjen një projekt që është në nivel të duhur, që i mbulon kriteret por që zbatimi është diçka tjetër. Qoftë në lëvizje në etazha, qoftë në vijën ndërtimore dhe këtu domethënë këputet ai procesi prej nivelit komunal edhe prej inspektoratit, se a janë duke respektuar atë leje, për atë ne kemi këtë kaos, për shkak të mos pranimit të ndërtesave”, ka thënë Toska.

Sipas tij, Kosova prej një sistemi të planifikimit hapësinor të vjetër, po kalon në një të ri, por që thotë se shumica e komunave nuk kanë informata për të, e që si pasojë ka shumë keqkuptime gjatë tërë procesit.

“Ne po flasim për plane, PZHK-ja, Harta Zonale, por fatkeqësisht jeta e qytetarëve është e bllokuar, e ngufatur. Fatkeqësia e nivelit qendror është se nuk ka bërë ndonjë analizë të thellë, për ligjin paraprak. Nuk ka pasur një analizë në detaje për me ardhë deri te një reflektim”, tha ndër të tjera Toska.

Në KALLXO.com po transmetohet debati i tretë prej një seri debateve që do të zhvillohen për planifikimin hapësinor të komunave tona. Debatet po organizohen prej dy organizatave që punojnë me plane hapësinore dhe trashëgimi kulturore, ‘Qytetarët Aktiv’ dhe ‘Ec ma Ndryshe’.

Sa janë qytetarët e përfshirë në planifikimin e qytetit të tyre? A i ka pyetur dikush sa kat duhet me qenë ndërtesat e qytetit të tyre? A është planifikimi urban i qyteteve tona në përputhje me standardet evropiane?

Në debatin për Prizrenin të ftuar për diskutim janë Luan Nushi nga Instituti për Planifikim Hapësinor, Flutra Zymi nga ‘Qytetarët Aktiv’, Beni Kizolli drejtor i Urbanizmit në komunën e Prizrenit dhe Enes Toska nga organizata ‘Ec ma Ndryshe’.