Energjia solare: Në Shqipëri çmimi trefish më i lirë se në Kosovë

Qeveria e Shqipërisë e ka përmbyllur ankandin për energji solare duke siguruar një çmim prej 24.89 euro për megavat nga kompania ‘Voltalia’ në pronësi të investitorëve francezë.

Ky çmim është për 60 euro më i lirë se sa çmimi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë e ka vendosur për 20 megavat energji solare prej 85.5 euro për megavat. Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte raportuar se ZRrE-ja ishte rekomanduar nga disa institucione të rëndësishme që të shkohet përmes ankandit, por bordi i ZRrE-së kishte vendosur që të shkohet me tarifa nxitëse prej të cilave përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit, të regjistruara në Maltë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se 30 kompani të mëdha paraqitën projektet, ndërsa 5 të tjera dhanë ofertat. Megjithatë vetëm 1 arriti të kualifikohej.

Projekti i Qeverisë së Shqipërisë për ndërtimin e parkun fotovolkaik të Karavastasë është hapur na janar, ndërsa është përmbyllur sot duke u shpallur fituese kompania franceze Voltalia, e cila kishte ofertuar me 24.89 euro për megavat.

Projekti ka qenë për ndërtimin e një parku solare me kapacitet prej 140 megavatëve. Kompania që është shpallur fituese ka ofertuar një çmim prej vetëm 24.89 Euro për 70 megavatet piku për një periudhë prej 15 vitesh. Kurse, për 70 megavatet e tjerë investitorit i lejohet që t’i shesë në tregun e lirë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka thënë se çmimi prej 24.89 euro është më i liri në gjithë Europën dhe kjo e bën Shqipërinë një shembull të mirë. Ajo ka thënë se për 70 megavatet për të cilët duhet të ketë një çmim të paracaktuar, Qeveria e Shqipërisë kishte caktuar një çmim tavan prej vetëm 55 euro.

Balluka, me rastin e hapjes së ofertave financiare, ka thënë se ky çmim tavan është përcaktuar bazuar në çmimin mesatar të blerjes së energjisë në Shqipëri, që vije si mesatare e çmimit të importit dhe çmimit të energjisë së prodhuar në Shqipëri.

Për ndërtimin e parkut solare me kapacitet prej 140 megavat, Balluka ka thënë se do të ketë një investim prej mbi 100 milionë euro. Shqipëria i ka ofruar investitorëve tokat për ndërtimin e parkut solar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se sigurimi i një çmimi kaq të favorshëm nga një investitorë serioz është një lajm i mirë për Shqipërinë.

Ai ka thënë se është e rëndësishme të diversifikohet prodhimi i energjisë, në një kohë që shumë prej burimeve të energjisë janë të shërueshme siç është nafta e gazi. Ai ka thënë se dielli në prodhimin e energjisë është një potencial i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Rama ka thënë se vendi ku pritet të ndërtohet ky park solare është një vend ideal për një gjë të tillë meqë ka numrin më të madh të orëve me diell brenda një viti.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë me 27 nëntor të vitit 2019 kishte vendosur që çmimi i tarifave nxitëse për 20 megavat të jetë 85.5 euro. Bordi i ZRrE-së kishte vendosur që të shkohet me tarifa nxitëse si formë e përkrahjes së energjisë solare përkundër që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, MZHE-ja dhe Ambasada e Gjermanisë kishin kërkuar që kjo të bëhet përmes ankandeve.

Jeta në Kosovë ka gjetur se katër nga tetë kompanitë që pritet të përfitojnë tarifa nxitëse prej 85.5 euro janë në pronësi të Blerim Devollit. Tri nga këto kompani janë të regjistruara në Maltë. Ato do të përfitojnë tarifa nxitëse bazuar në vendimin e ZRrE-së sipas formulës “Kush vjen i pari, servohet i pari” meqë kanë autorizime preliminare dhe janë në listën e pritjes.