Foto: DokuFest

Ëndrra që mbijetoi: DokuFest-i shënon 20 vjet triumfues

Ndërkohë që festivali më i famshëm i filmit në Kosovë rikthehet në jetë pas sfidave të pandemisë, themeluesit e tij kujtojnë se si filloi gjithçka dy dekada më parë në kopshtin e një kinemaje të rrënuar.

Reshjet e shiut ndryshuan planet e një grupi entuziastësh të kulturës në një natë vere në vitin 2002 në Prizren, por nuk ua hoqën atyre vendosmërinë.

Ishte nata e hapjes së edicionit të parë të  DokuFest, i planifikuar të mbahej në kopshtin e kinemasë Lumbardhi, në Prizren, thuajse një rrënojë në atë kohë.

“Natën e parë, para hapjes, ishte shi i paparë … na bëri të gjithëve ujë dhe duhej të linim kopshtin e kinemasë Lumbardhi dhe të futeshim brenda,” kujton me buzëqeshje drejtori artistik dhe bashkëthemeluesi i DokuFest-it, Veton Nukollari.

“Por ne e hapëm festivalin dhe i shfaqëm filmat … 30 filma, kryesisht nga Kosova, disa nga Maqedonia dhe Shqipëria, dhe disa nga Bosnja dhe Hercegovina,” shton ai.

Ai DokuFest i parë zgjati dy netë e gjysmë, duke u mbështetur në pajisjet teknike të huazuara dhe një kinema të vjetër të shpëtuar nga njerëzit që nuk mund të harronin netët e verës që kishin kaluar duke parë filma atje nën yje kur ishin fëmijë.

Pas 20 vitesh DokuFest-i shfaq 200 deri në 300 filma në vit, të zgjedhur nga rreth 3,000 aplikime. Ka shkuar përtej të qenit vetëm një festival filmi dhe zgjat më shumë se një javë, nga 6 deri në 14 gusht 2021.

Tani një markë kulturore e qytetit të Prizrenit, një festival që ndërthur kulturën me qytetin e lashtë përfshin edhe aktivitete të tjera, duke përfshirë koncertet e tij të famshme, DokuNights, një mini-festival brenda një koncepti më të madh.

DokuFest filloi si një përpjekje për të ndriçuar jetën kulturore në Kosovën e atëhershme të zymtë të pasluftës. Nuk kishte asnjë ide apo plan specifik. Por me kalimin e viteve është shndërruar në një faktor kyç që fuqizon zhvillimin e një industrie filmi gjithnjë e më të suksesshme në Kosovë.

Pa Vend, prodhuar dhe drejtuar nga dy figura të rëndësishme në DokuFest-it, ishte filmi i parë nga Kosova që u përzgjodh në festivalin e filmit në Kanë, këtë vit

Ndërkohë filmi i shkurtër 4 Pills at Night (4 Pilula në Darkë) nga ish nxënësi i DokuFest-it Leart Rama dhe bashkë-prodhuar nga DokuFest dhe Festivali i Filmit të Shkurtër Winterthur në Zvicër u përzgjodh për të konkurruar në Festivalin e 74-të të Filmit në Lokarno.

“Ne kemi krijuar një festival në një qytet pa kinema që tani frymon në kinema … dhe vitin e kaluar realizuam një festival plotësisht online në një vend pa adresa IP,” thotë Nukollari.

Ai kujton me krenari luftën për të sjellë diçka në jetë nga asgjëja. “Ne e shndërruam një vend që nuk prodhonte asnjë film në një vend që prodhon filma që fitojnë në festivalet më të rëndësishme, si Sundance,” thotë ai, duke iu referuar filmit Zgjoi të regjisores Blerta Basholli, e cila u shpërblye atje në fillim të shkurtit.

Aktivizmi ka qenë gjithmonë pjesë e mesazhit

Si lë të kuptohet slogani i edicionit të 20 -të të DokuFest – Re: set, Re: mix, Re: act – një pjesë e rëndësishme e konceptit të festivalit është thirrja për aktivizëm, duke qenë se nismën e pati si një përpjekje vullnetare për të ringjallur jetën kulturore në Kosovën e pasluftës.

“Reagimi (React) është ai që ne bëjmë gjithmonë, një thirrje për aktivizëm për një qytet dhe shtet më të mirë nëpërmjet angazhimit personal,” thotë Nukollari.

Alba Çakalli, producentja aktuale e DokuFest-it, e cila së pari u mahnit nga festivali në 2005-n, në moshën 15 vjeçare, thotë: “DokuFest-i na e ka mësuar aktivizmin, jo të pushojmë, por të ngrihemi në protestë ose të bëjmë peticione për vizionin tonë dhe kundër padrejtësive që ndodhin ”.

Duke u strehuar nën hijen e diellit të gushtit, ulur në parvazin e dritares tek zyrat e DokuFest-it, Nukollari i thotë BIRN-it se një frymë vullnetarizmi përshkoi krijimin e festivalit.

“Kur filloi festivali, filloi në baza vullnetare, pa shpërblim monetar për asgjë,” qesh ai.

Për disa vjet, organizatorët duhej të investonin pagat e tyre nga punët e tyre ditore për ta mbajtur festivalin gjallë.

“Ne besojmë se duhet të japim diçka për të marrë ndonjë gjë në këmbim,” shpjegon Nukollari.

Producentja e festivalit Çakalli kujton vitet e saj të adoleshencës, duke shkuar derë më derë për të marrë nënshkrimet për një peticion për të shpëtuar kinemanë Lumbardhi.

Kinemaja e dytë më e madhe në natyrë në ish -Jugosllavi u hap në vitin 1952. Para mbylljes së dyerve gjatë Luftës së Kosovës, ishte një nga pikat kulturore më të njohura në Prizren. Për një kohë të gjatë, ishte kinemaja e vetme ku filmat u shfaqën në DokuFest, i cili tani shfaq filma në nja 10 kinema rreth Prizrenit.

Në vitin 2007, ish -kryetari i Prizrenit Eqrem Kryeziu u përpoq të prishë kinemanë dhe ta kthente atë në një parking. Një fushatë civile pati sukses në mbrojtjen e kinemasë deri në vitin 2014, kur Agjencia Kosovare e Privatizimit, AKP, filloi të bënte plane për likuidimin e saj.

Këtë herë, aktivistët tërhoqën vëmendjen e politikanëve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe të 58 OJQ-ve mbështetëse. AKP -së iu desh të ndalonte planin e likuidimit dhe Lumbardhi hyri në listën e Mbrojtjes së Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Çakalli dhe bashkëmoshatarët e saj ishin aktivë në të dy fushatat civile.

Ndryshe nga Nukollari dhe gjenerata e tij, të cilët kanë kujtime të gjalla të fëmijërisë për Lumbardhin, Çakalli është nga një brez i ri që nuk kishte një përvojë të tillë. E lindur në vitet 1990, ajo kujton fëmijërinë e saj si një kohë kaotike në mes të luftës.

“Gjenerata ime nuk e përjetoi shkuarjen në kinema,” thotë ajo, duke kujtuar se kishte shkuar në kinema vetëm dy herë si fëmijë. Dy gjëra mbetën në kujtesën e saj në kinema: Batman, filmi i parë që pa, me dajën e saj dhe forcat e policisë speciale.

DokuFest i dha Çakallit dhe të rinjve të Prizrenit një shans që më në fund të bëheshin pjesë e diçkaje më të madhe që “nuk na dëmtoi”.

Të qenit vullnetar i DokuFest-it mbetet burim krenarie edhe pas 20 vitesh festival. Aktualisht ka rreth 50 anëtarë të stafit, më shumë se gjysma e të cilëve ishin vullnetarë në adoleshencë.

Nukollari shpjegon se të qenit vullnetar në DokuFest është diçka që e vlerësojnë të rinjtë Prizrenalinj, pasi ata nuk bëhen vetëm vullnetarë në pjesët teknike të filmit të festivalit, por në çdo fushë. Nukollari përmend se ata që janë përgjegjës për pritjen takohen me regjisorë të rëndësishëm nga e gjithë bota.

“Të jesh vullnetar në DokuFest ka një dimension të jashtëzakonshëm,” thotë ai.

Ballafaqimi me pandeminë

DokuFest-i i njëzetë po kthehet fizikisht këtë vit pas një viti që u shpërngul online për të shmangur përhapjen e COVID-19.

Ata kishin vetëm 25 anëtarë të stafit atë vit, shpjegon Çakalli, ndryshe nga viti 2021, kur ka të paktën 100 vullnetarë, krahas stafit.

Pavarësisht se nuk kishte organizuar kurrë një festival online, DokuFest-i e menaxhoi atë me sukses, me 130,000 shikime të programit të tyre, sipas Çakallit.

Tre frazat e edicionit të këtij viti sugjerojnë një rifillim të jetës, një moment kur të gjithë mund të mendojnë për rrethanat e tyre dhe të shikojnë përpara.

Pandemia mbetet një sfidë për organizatorët që kanë kufizuar DokuNights e tyre të famshëm në shfaqje më të vogla muzikore, të quajtura SonicNights.

DokuKids, i cili zakonisht përfshin punëtori dhe ngjarje për fëmijë, është gjithashtu i kufizuar në vetëm dy orë, në përputhje me masat aktuale COVID-19.

Pavarësisht nga këto kufizime, për të festuar 20 vjetorin, organizatorët kanë përfshirë një përzgjedhje filmash nga edicionet e mëparshme. Ata gjithashtu kanë përzier videot hyrëse të mëparshme në një të modernizuar.

Kinematë në natyrë, përfshirë atë mbi lumin Lumbardhi dhe në Kalanë e Prizrenit, do të kthehen këtë vit, duke vazhduar një traditë të gjatë të adhuruesve të filmave që shikojnë filma nën yje.

Nukollari ia atribuon suksesin e vazhdueshëm të festivalit, i cili që nga viti 2019 ka qenë një festival kualifikues në BAFTA për filma të shkurtër, për të besuar në një ide që në fillim dukej e parealizueshme.

“Besimi se gjërat mund të krijohen nga pothuajse asgjëja është pjesë e thelbit të këtij festivali, dhe ndoshta edhe e suksesit të tij,” sugjeron ai.

Çakalli është e sigurtë se çdo pengesë me të cilën haset ekipi i DokuFest-it bëhet e vlefshme kur dëgjojnë ato fjalët e famshme: “Ne e shpallim DokuFest-in të hapur!”