Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ëndrra drejt realitetit, studentët aplikojnë në Universitet

Drejtësia i ka pëlqyer qysh kur ishte e vogël. E kjo e ka bërë Sara Gashin që të vazhdojë ta ndjek ëndrrën e saj dhe të aplikojë që të bëhet studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Vetën time në të ardhmen e shoh si prokurore, duke i kontribuuar shtetit dhe drejtësisë”, thotë 18-vjecarja për KALLXO.com.

Ajo është zgjuar sot me gëzimin se ëndrra e saj do të mund të bëhet realitet. Ishte ora 8:00 kur ajo u nis nga qyteti i saj, Vitia në drejtim të Prishtinës, në mënyrë që të zë radhën për të dorëzuar dokumentet në administratën e këtij fakulteti.

“Më ka pëlqyer gjithmonë drejtësia për këtë arsye kam vendosur me vazhdu Juridikun dhe e kam mendu një degë prej një moshe shumë të vogël dhe besoj që ka m`u regjistru dhe me vazhdu tutje”, shton Gashi tutje.

Ky universitet sot ka hapur dyert edhe për shumë kandidatë të tjerë sikurse Sara Gashi, të cilët në orën 10:00 kishin ‘pushtuar’ shumicën e Fakulteteve të UP-së, me shpresën se do të mund të vazhdojnë studimet e tyre.

Ndryshe nga Sara, Dafina Neziri nga Prishtina, dëshiron që karrierën e saj ta vazhdojë si politikane, përveç studimeve që është duke i ndjekur në një Universitet të Londrës.

“Dëshiroj të studiojë Shkenca Politike pasi kam dëshirë që në të ardhmen të kontribuojë për shtetin tonë”, thekson ajo për KALLXO.com.

Në anën tjetër, prodekani i Fakultetit Filozofik, Arben Hajdari thotë për KALLXO.com se në këtë fakultet do të pranohen vetëm studentët meritor.

“Në 7 drejtime të ndryshme në Fakultetin Filozofik do të pranohen gjithsej 620 studentë të rinj edhe sigurisht që do t’i nënshtrohen testit me 5 tetor dhe për shkak të pandemisë edhe pyetjet do të jenë më specifike. Sigurisht se do të pranohen nxënësit më meritor në fakultet”, thotë Hajdari.

Profesori i Historisë në UP shton se sfidë për studentët e rinj do të jenë ligjërata në kohë pandemie, nëse ato do të zhvillohen online.

“Ata nuk e kanë lehtë nëse mbahet mësimi online dhe nëse zhvillohet ashtu do të jetë e vështirë me u menaxhuar”, shton Hajdari.

Nga kjo e hënë, Universiteti më i madh publik, “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për studentë të rinj, ku në këtë afat të parë ka planifikuar që t’i pranojë 6,638 studentë dhe afati i aplikimit do të jetë deri më 30 shtator.

“Gjithsej 6,638 studentë do të kenë fatin të bëhen pjesë e UP-së për këtë vit akademik, në afatin e parë të konkursit.  UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 njësi akademike, për t’u bërë pjesë e të cilave mund të aplikoni deri në datën 30 shtator 2020”, është bërë e ditur përmes një njoftimi.

Edhe universitet e tjera rajonale kanë hapur konkurset për pranimin e studentëve të rinj për vitin e ri akademik 2020/21.