Endrit Shala: Kurti po tenton ta mashtrojë Kosovën dhe Amerikën

Deputeti i partisë NISMA Socialdemokrate, Endrit Shala, ka pyetur kryeministrin Kurti e si e mendon zgjedhjen e pengesave që kanë mallrat dhe bizneset e Kosovës në tregun serb.

Shala për heqjen e tarifës ka thënë se është një mashtrim i radhës i kryeministrit, Albin Kurti ndaj popullit të Kosovës.

Po ashtu, Shala ka thënë se Kurti po tenton të mashtrojë dhe prishë marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, sidomos me Amerikën.

Ai tutje ka përmendur një sërë pengesash që shteti serb ka karshi Kosovës.

“Të gjitha pengesat që Serbia ka ndaj Kosovës kërkojmë që të zgjidhen me seriozitetin më të lartë sepse nuk është koha e mashtrimeve e sidomos mashtrimit të Amerikës”, deklaroi Shala.

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

AAK ka mbledhur 41 nënshkrime nga deputetët opozitarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën tha se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.

Në një postim në Tëitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Dje, Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët të përkrahin nismën e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë se LDK do ta mbështesë heqjen e saj për shkak se mendon se është në të mirë të Kosovës dhe jo sepse po e kërkon Amerika.

Ai më tej ka shkruar se derisa Kosova ka vendosur tarifë për shtetin serb, Serbia po sillet si viktimë në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka përkrahur Isa Mustafën në kërkesën e tij për heqjen e menjëhershme të tarifës.

Ai përmes një publikimi në Tëitter ka thënë se heqja e tarifës do të ishte një nismë e shkëlqyer për përparim ekonomik të Kosovës.

“Nismë shumë e mirë. Isa Mustafa është një udhëheqës i guximshëm. Heqja e tarifës nesër një fillim i shkëlqyeshëm për më shumë përparim dhe do të lëvizte shpejt. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, ka shkruar Grenell.