Foto: KALLXO.com

Ende pa ujë të pijshëm fshatrat e Lugut të Baranit në Pejë

Banorët e fshatrave të Lugut të Baranit të komunës së Pejës ende po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Në këtë problem banorët kanë hasur që nga koha e para luftës. Driton Gashi përfaqësues i fshatit Buçan tregon që këtë problem e kanë adresuar disa herë edhe në komunën e Pejës.

“Problemi i ujit është qysh para luftës. Kemi bërë kërkesa shumë herë. Por kur të bëhet zgjidhja për krejt fshatrat e Lugut të Baranit bëhet edhe për neve si fshatë”, tregon Gashi.

Banorët e kësaj zone hasin në vështirësi për ujë dhe për për t’u furnizuar me ujë të pijshëm duhet të udhëtojnë me kilometra për të mbushur bidonët e tyre në Pejë dhe në fshatrat e Pejës.

“Për banorët e fshatit Buçan është shumë e vështirë, shkojnë më marrë ujë tē pijshëm me kilometra larg fshatit. Ujin e pijshëm banorët e fshatit Buçan e sigurojnë në Pejë dhe disa në fshatin Gllogjan të Pejës aty tek shkolla uji është shumë i mirë. Besoj dhe shpresoj që së shpejti komuna e Pejës do të bëjë zgjidhje për ujë të pijshëm”, ka thënë përfaqësuesi Driton Gashi.

Edhe përfaqësuesi i fshatit Çallapek, Etnik Berisha tregon që banorët për t’u furnizuar me ujë të pijshëm detyrohen të blejnë ose të marrin në vendet e tjera.

“Uji nuk është i pijshëm dhe që banorët e fshatit ujin e pijshëm e marrin nëpër vende të tjera ose e blejnë”, tregon Berisha.

Agron Tigani, drejtor menaxhues i Hidrodrinit në Pejë ka treguar që janë në pritje për të marrë këtë projekt nga komuna e Pejës në menaxhimin e tyre.

“Projekti i Lugut te Baranit, është një projekt që është nisur para shumë vitesh nga KK-Pejë, projekt i cili është implementuar në disa faza. Ne jemi në pritje të përfundimit të këtij projekti, ku pastaj do të mirët në menaxhimin e KRU”Hidrodrinit”Sh. A. – Pejë”, ka thënë Tigani.

Drejtoresha për Punë Komunale në komunën e Pejës Xhevahire Çeku, ka treguar që zgjidhja e këtij problemi nuk është bërë për shkak të pengesave me banorët e fshatit Novosellë dhe që problemi për ujë të pijshëm do të zgjidhet brenda dy viteve.

“Deri me sot nuk është realizuar projekti “Furnizimi me ujë të pijshëm për fshatrat e Lugut të Baranit” për shkak të pengesave të banorëve të atyshëm pra Novosellës. Besoj që mrenda dy viteve (2020-2021) do duhet të përfundoi, varësisht prej gjendjes me pandemin”, ka thënë Çeku.