Ende pa përfunduar afati i ankesave, fillojnë punën 85 inspektorët sanitarë

85 inspektorët sanitarë që janë rekrutuar nga Ministria e Shëndetësisë, kanë filluar punën sot, një ditë pas shpalljes së rezultateve.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në rrjetin social Facebook, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Sot filluan punën inspektorët e rijnë për mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID 19. Flamur Kadriu drejtori Ekzekutiv i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë, u uroj mirëseardhje 85 inspektorëve të rijnë të cilët janë angazhuar për mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID 19”, thuhet në postim.

Sipas AUV, drejtori ekzekutiv, Flamur Kadriu shprehu gatishmërinë për mbështetje në punë dhe duke parë situatën epidemiologjike.

“U kërkojë angazhim maksimal qe bashkë me institucionin tjetër ligje zbatues për mbikëqyrje të masave Policinë e Kosovës do të bartni mbi supe menaxhimin për mbikëqyrje të masave. Përveç aspektit mandator ligjor të detyrës në punë, duhet ta keni edhe ndjenjën e përgjegjësisë humane morale që të kryeni detyrat me përgjegjësi sepse keni mision në ruajtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Kjo është detyra dhe misioni më i rëndësishëm që mund ta keni ndonjëherë”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, në njoftimin e bërë dje nga Ministria e Shëndetësisë, nëpërmes të cilit u bënë publik emrat e 85 personave të pranuar për inspektorë, është theksuar si këshillë juridike se kandidatët e pakënaqur mund të bëjnë ankesë brenda afatit prej 3 ditësh në Komisionin e Ankesave në Ministrinë e Shëndetësisë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë sqarime në lidhje me këtë çështje dhe ende nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Drin Podrimqaku tha për KALLXO.com se ata kanë filluar punën për shkak se është shumë e nevojshme që të dilet në teren për inspektim të masave për COVID-19.

“Ministri e ka shpjeguar procesin në konferencë për media bashkë më kryeministrin Kurti. Të gjitha procedurat do të ndiqen sipas udhëzimeve administrative në fuqi dhe secila ankesë që ka bazë ligjore, do të shqyrtohet, por puna e tyre dhe angazhimi i tyre që në ditën e parë është imediat, i domosdoshëm sepse janë vetëm 11 inspektorë në detyrë dhe ka qenë i domosdoshëm sa më herët fillimi i punës”, tha ai për KALLXO.com.

Për këta 85 inspektorë që do të angazhohen në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Shëndetësisë, kishte hapur konkurs më 20 gusht.

Konkursi i hapur nga Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë inspektorë sanitar në komunat Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.

Por, angazhimi i tyre do të jetë me kohë të caktuar, 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj tjerë.

Këta inspektorë do të kenë pagë prej 520 euro.

KALLXO.com dje ka raportuar se në mesin e 85 inspektorëve të pranuar nga Ministria e Shëndetësisë, është edhe burri i Venera Llunjit anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kandidate për deputete.

Burri i anëtares së Lëvizjes Vetëvendosje në mesin e inspektorëve të pranuar

.