Ilustrim

Ende pa konsensus në samitin për klimën

Ministri i Mjedisit dhe Klimës në Indi, Bhupender Yadav tha më 13 nëntor se ende nuk është arritur konsensus në bisedimet e Kombeve të Bashkuar apër klimën, pavarësisht se bisedimet u shtyn edhe për një ditë më shumë.

Yadav tha se kishte mungesë të balancës në draft-tekstet e hartuara nga delegatetët nga e gjitha bota gjatë dy javëve të fundit.

Duke folur me presidentin e Konferencës për Ndryshime Klimatike të OKB-së (COP26), Alok Sharma gjatë takimeve të 13 nëntorit, Yadav tha se “kam frikë se konsensusi vazhdon të jetë i paarritshëm”.

Bisedimet për klimën u zgjatën edhe për një ditë, teksa delegatët punuan për të arritur një marrëveshje që ka për qëllim kufizimin e ndryshimeve klimatike globale.

Çështjet e diskutueshme në draft-tekstin përfshinin referenca për heqjen dorë në mënyrë graduale nga përdorimi i qymyrit dhe “subvencionimi joefikas i karburanteve fosile” si dhe detaje mbi të ashtuquajturat tregje të karbonit dhe ndihmën financiare për vendet në zhvillim.

Organizatorët britanikë të kësaj konference, që nisi dy javë më parë, kishin paraparë që konference të përfundonte më 12 nëntor, por ata thanë se shpresojnë që marrëveshja të prezantohet më 13 nëntor.

Por, negociatorët po shpresojnë që të arrijnë konsensus në një sërë çështjesh.

Në draft-tekstin e marrëveshjesh që qarkulloi më 13 nëntor, nuk u përfshi ndihma financiare për “humbjet dhe dëmet”, tarifat për ndryshimet klimatike që kanë qenë kërkesë e shteteve të varfra.

Aty ka pasur një referencë për “njohjen e nevojës për mbështetjen drejt një tranzicioni fer”, por nuk ka pasur asnjë referencë për ndihmë specifike financiare për vendet e varfra.

Sipas këtij teksti, shtetet do të zotoheshin që të përshpejtojnë reduktimet e emetimeve të parapara në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 dhe do të paraqisnin objektiva më ambicioze deri më 2022.

Shkencëtarët thonë se duhet të ketë zvogëlim më të madh të karbonit deri më 2030 për të parandaluar ndryshimet katastrofike të klimës.

Teksa bisedimet janë drejt përmbylljes, Sharma tha se samiti për klimën “është një moment i së vërtetës për planetin tonë, për fëmijët tanë dhe nipërit tanë”.

Ai u tha delegatëve se shtetet kanë dështuar që t’iu përmbahen zotimeve të Marrëveshjes së Parisit për klimën.

Megjithatë, Sharma insistoi që vendimet e samitit “të njihnin këtë thirrje për reagim” dhe të paraqiten hapat e ardhshëm, në mënyrë që shtetet të përmbushin zotimet e Marrëveshjes së Parisit.

Në fund të këtij samiti, kërkohet konsensus i plotë për marrëveshjen. Në këtë ngjarje po marrin pjesë pothuajse 200 shtete, që janë nënshkruese të Marrëveshjes së Parisit.

Takimi ka për qëllim që të mbajë cakun e përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit për ngrohjen globale deri në 1.5 gradë Celsius./REL