Ende nuk ka vendim për ta hequr Prishtinën nga karantina

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të mbajtur para Ministrisë së Shëndetësisë ka njoftuar se ende nuk ka vendim për të hequr Prishtinën nga karantina.

Vitia tha se është në bisedime të vazhdueshme me të parin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ditëve në vijim do të lehtësohen masat dhe Prishtina do të hiqet nga karantina por fillimisht vendimi duhet të merret në bashkëpunim me IKSHP-në.

“Jemi në bisedime të vazhdueshme me Kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe jemi duke menduar që ditët në vijim të lehtësojmë masat dhe të hiqet karantina. Me kryetarin Ahmeti jemi dakorduar qysh nga fillimi nuk ka qenë problemi i eksportit të infeksionit në qytetet e tjera por ka qenë ideja që ta mbrojmë Prishtinën si kryeqendër pasi ka qarkullim shumë dhe një shpërndarje e infeksionit në Prishtinë do të thoshte se e gjithë Kosova do të ishte në rrezik”, tha Vitia në konferencë.

Ai tutje shtoi se për çdo masë të re, qytetarët do të njoftohen me kohë.

Jemi në koordinim me kryetarin Ahmeti dhe në momentin e parë që do të marrim vendimin së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, masat do të bëhen publike.

Gjithashtu Ministri Vitia tregoi edhe për lehtësimin e masave nga e hëna e javës së ardhshme

Vitia tha se me masat e reja ne po tentohet të lirohet ekonomia. Hapjen e ekonomisë sipas ministrisë po planifikohet të bëhet në tri faza dy javëshe, faza e parë fillon me 4 maj deri më 18 maj.

“Gjatë kësaj periudhe do të zgjerohet orari i lëvizjes së qytetarëve nga 90 minuta në tri orë, dy herë në ditë. Do të lirohen bizneset e ndërtimtarisë, patundshmërive, tregtia e automjeteve pjesërisht, tregtia me pakicë pjesërisht, riparimi i artikujve personal dhe orendive, zyret e konsulencës me lista të punëtorëve esencial Faza e dytë nga 18 maj deri më 1 qershor, planifikohen të lirohen por gjithmonë me rekomandime të institucioneve shëndetësore dhe qeveritare”, tha Vitia në konferencë.

Komuna e Prishtinës u fut në karantinë më  11 prill të këtij muaji pasi që pati rritje të numrit të të prekurve me coronavirus.