Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ende nuk ka datë për takimin e radhës Abdixhiku-Osmani

Dy ditë pas takimit mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe kandidates për presidente Vjosa Osmanit, në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ende nuk dihet se kur pritet që të dyja palët të mblidhen sërish.

Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina ka thënë për KALLXO.com, se nuk ka datë për takimin e radhës.

“Nuk ka datë. Sot jo”, ka thënë shkurt ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Abdixhikut dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Pas takimit të së mërkurës, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku paralajmëroi edhe një tjetër takim me Osmanin.

“Do të kemi edhe një takim të ardhshëm, shumë shpejt. Në ndërkohë do t’i kthehemi organeve të partisë për t’i informuar në detaje rreth përmbajtjes së këtij takimi”, u shpreh ai para gazetarëve.

Ai u deklaruar edhe rreth qëndrimit përfundimtar të partisë së tij për çështjen e presidentit.

“Besoj që pas konsultimeve të brendshme dhe vazhdimit të konsultimeve me zonjën Osmani, do të kemi edhe qëndrimin tonë përfundimtar”, theksoi Abdixhiku.

Takimin me Osmanin, bashkëpartiaku i dikurshëm i saj, e cilësoi si të frytshëm dhe pozitiv.

“Në këtë takim kemi diskutuar çështjet me interes rreth formimit të institucionit të presidentit. Takimi ka qenë i frytshëm, ka qenë takim pozitiv dhe është zhvilluar në atmosferë të mirë mes njerëzve që kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë”, u shpreh mes tjerash Abdixhiku të mërkurën e kësaj jave.

Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve, është në kërkim të votave për presidente për Osmanin, pasi kjo e fundit garoi në një listë të përbashkët me LVV-në, duke shpallur kandidaturën për kryetare të shtetit.

Pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës me kryeministër Albin Kurti më 22 mars, është paralajmëruar se në ditët e ardhshme pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkaq, AAK-ja dhe PDK-ja kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

Dilemat për procedurat e zgjedhjes së presidentit, me 2/3 e deputetëve prezent apo me 2/3 e deputetëve pjesëmarrës votues