Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi. Foto:KALLXO.com

Ende nuk ka datë për hapjen e Urës së Ibrit, thotë Krasniqi

Për çfarëdo veprimi në lidhje me Urën e Ibrit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se do të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë. 

Krasniqi edhe pse nuk dha një datë se kur planifikojnë ta hapin urën, tha se dialogu me qytetarët serbë për hapjen e saj nuk ka qenë vetëm në këto ditë.

“Nuk ka asnjë arsye që ura duhet të jetë e mbyllur. Aty janë edhe dy ura tjera që shfrytëzohen. Unë vazhdimisht i shoh qytetarët serbë dhe sigurisht që hapja e urës do të lehtësojë jetën e qytetarëve. Ura është momentalisht në gëlqerosje dhe përgatitje tjera. Aty është bërë një vlerësim i qëndrueshmërisë. Ne jemi duke i përmbyllur të gjitha punët dhe sigurisht se nuk mund të them një datë se kur do të hapet ura”- tha Krasniqi në konferencë për media më 14.08.2024.

I pyetur për deklaratën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, se hapja e Urës së Ibrit në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë, Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës e merr seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë.

“Ata janë ushtarët më të dashur të KFOR-it… Po i vazhdojmë koordinimet dhe konsultimet me partnerët, përfshirë KFOR-in që gjithçka të shkojë mirë e të mos ketë asnjë incident e lëre më shumë. Ne besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit janë mbi të gjitha. Do të ketë koordinim për secilin veprim të ndërmarrë”- tha Krasniqi.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje. 

Ai përmendi edhe takimin të cilin e ka pasur me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash më 13.08.2024. 

“Me komandantin Ulutash diskutuam edhe për hapjen e urës kryesore në Ibër në Mitrovicë të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”- tha Kurti. 

Kurti shtoi edhe se do të vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet me partnerët. 

“Hapja e urës nuk është kundër askujt e aq më pak ndaj partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale që do të thotë të hapura”- tha Kurti. 

Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.07.2024, ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.

Zëvendësministri Hysen Durmishi ka thënë se raporti ka vënë në pah se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit po pritet me diskutime, krahëhapur në njërën anë dhe kundërshti nga ana tjetër.

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër vetëm pak orë pas këtij njoftimi, KFOR rreth orës 22:41 ka dërguar një njoftim për media në të cilin ka thënë se është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione, si çelës për siguri e qëndrueshmëri në Kosovë e stabilitet në rajon.

Në njoftim nuk përmendet, takimi (13.08.2024) i komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash me kryeministrin Albin Kurti, të cilët folën pikërisht për këtë temë.

“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – thuhet në komunikatë.

KFOR është siguruar që të tregoj se janë të gatshëm që për cdo rast të veprojnë si përgjigje të cdo zhvillimi i cili mund të prek aspektin e sigurisë.