Foto: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtis

Ende nuk është bërë e ditur se çfarë do të bëhet me vajin e gjetur në depotë e marketeve

Qeveria e Kosovës, Ministria e Industrisë, Ndërmarresisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Inspektorati i Tregut ende nuk e kanë bërë të ditur se çfarë do të bëhet me mijëra litra vaj të cilat u gjetën në depotë e dy marketeve të mëdha mbrëmë në Kosovë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mbrëmë ka njoftuar se ka mbyllur dy depo të supermarketeve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetërn 26 mijë të tjera.

KALLXO.com për këtë çështje ka kontaktuar përmes telefonit dhe emailit zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziun; ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarin; zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Getoar Mjekun; zyrën për media në Ministri të Industrisë si dhe Lebibe Halitin nga Inspektorati i tregut.

Deri në publikimin e këtij artikulli KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje prej asnjërit prej tyre për këtë çështje.

Se çka do të bëhet me vajin e gjetur në depotë e supermarketeve, nuk ka treguar as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është pyetur në një konferencë për media. Mirëpo ajo ka thënë se Qeveria dënon ashpër abuzimin me çmime.

“Dje ka pasur një mobilizim për ndalimin e këtyre mashtrimeve, dje kam bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të adresoj këtë mashtrim serioz ndaj qytetarëve. Ka veprime serioze të policisë, inspektoratit të treguar dhe prokurorisë”, tha ajo.

Këto inspektime kanë ardhur pas rritjes enorme të çmimit të vajit në Kosovë, ku është vërejtur që në disa markete një shishe vaj është shitur deri në 3.49 euro.

Zv/kryeinspektore e Inspektoriatit të Tregut, Lebibe Haliti sot për KALLXO.com tha se kompensimi i qytetarëve të cilët kanë blerë produkte me çmime të larta është pjesë e aktiviteteve të Inspektoriatit.

“Jemi duke e konsultuar ligjin, edhe kjo do të jetë pjesë e aktiviteteve të inspektorëve. Ligji i Mbrojtjes së Konsumatorit e thotë, por jemi duke e konsultuar ende si bazë ligjore”, ka thënë Haliti për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar rrjetin e supermarketeve “Viva Fresh Store” për të marrë një përgjigje nëse do të bëhet kompensimi i qytetarëve nga ana e tyre.

Zyra e marketingut të “Viva Fresh Store”, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë informata nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që kanë rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.

Dje në Kosovë çmimi i vajit ka shkuar në 3.49 euro.