Ende nuk dihet çka e shkaktoi zjarrin e mbrëmshëm në lagjen 'Kalabria' - VIDEO

Mbrëmjen e së enjtes më 16.01.2025, Haki Shala ishte duke qëndruar në banesën e tij në lagjen “Kalabria” të Prishtinës. Qetësinë ia prishi një trokitje e fuqishme, teksa kur hapi derën, thotë se e pa tmerrin me sy.

“Jemi kanë t`u nejtë edhe t`u këqyrë TV. E kam dëgjuar një krismë të madhe në derë. Mendova mos është dikush i dehur a i çmendur. Kur e kam hapë derën, s’kam pa asgjë prej tymi. Ndoshta edhe personi që ka trokitur në derë ka qenë aty, por nga tymi nuk e kam pa. Kemi dalë, nuk e kemi ditë nëse po digjet një banesë apo diçka tjetër”- tha Haki Shala për KALLXO.com.

Vetëm pasi kanë zbritur, banorët e kanë kuptuar se po digjen veturat në garazhin nëntokësor.

“Pasi kemi zbrit poshtë, e kemi marrë një informatë se po digjet një veturë në garazhin e përbashkët, është shumë e madhe. Ka qenë e tmerrshme, se nuk e kemi ditë çka po ndodhë. Ka pasur raste kur njësia speciale mbi njëri-tjetrin i kanë nxjerrë banorët nga tymi”- shtoi mes tjerash Shala.

Nga tymi që depërtoi në të gjitha katet, 13 persona kërkuan ndihmë mjekësore. Drejtori i Klinikes Emergjente Naser Syla, konfirmoi për KALLXO.com se të gjithë janë liruar për në shtëpi.

Tymi u shkaktua nga djegia e dy veturave në garazhin nëntokësor, teksa si pasojë e temperaturës së lartë, janë dëmtuar edhe disa vetura të tjera.

Veturat e djegura kishin targa kosovare, kurse në kushte anonimiteti, banorët thanë se pronari i njërës prej automjeteve nuk jeton në Kosovë.

Si pasojë e zjarrit, janë djegur edhe kabllot elektrike, derisa dy ndërtesat të cilat garazhin ku shpërtheu zjarri, e kishin të përbashkët kanë mbetur pa energji elektrike. Ekipet e KEDS-it gjatë ditës u panë duke i vlerësuar dëmet.

Zjarri dëmtoi edhe gypat e kanalizimit, teksa ujërat e zeza po derdhen në garazhin nëntokësor.

Hetuesit policor mëngjesin e së premtes, për gati dy orë kanë qëndruar në vendin e ngjarjes duke kryer ekzaminimet e nevojshme. Ata janë përkujdesur që të marrin edhe filmime nga kamerat e sigurisë të lokaleve përreth.

Megjithatë, Policia nuk dha detaje duke shtuar se duhet pritur përfundimin e hetimeve për të dalë me një përgjigje.

Në intervenim, përveç zjarrfikësve të Prishtinës, asistuan edhe zjarrfikës nga komunat e tjera, teksa informata erdhi në orën 18:11.

Komandanti i zjarrfikësve të Prishtinës, Mal Gashi tha për KALLXO.com se asnjë zjarrfikës nuk është lënduar, duke shtuar se intervenimin e bëri të vështirë fakti se në fillim nuk dihej saktë se çka ishte duke u djegur.

“Informata është marrë se po digjet një veturë. Në parim kjo nuk nënkupton nevojën për intervenim të përmasave të mëdha. Por, kur ekipet kanë qenë këtu, e kanë pa që bëhet fjalë për një zjarr që nuk ishte i identifikuar sepse ka qenë tym tepër i dendur t’u dalë prapa. Ekipet kanë intervenu menjëherë, por problemi ka qenë se paniku ka qenë tepër i madh dhe i panevojshëm. Nuk i fajësoj shumë sepse ata nuk kanë njohuri”- tha Gashi.

Gashi, mes tjerash apeloi që në këto raste, e vetmja uniformë që banorët duhet ta dëgjojnë, është ajo e zjarrfikësve.

Zjarri në objektin banesor në Prishtinë, Policia: 13 personave u është ofruar tretman mjekësor