Ende nuk dihen arsyet e shpërthimit në sheshin në Mitrovicë, prokuroria nuk ka identifikuar dorasin

Në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, një shpërthim nga një granatë dore është dëgjuar në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Një kafeteri dhe dy lokale të tjera afariste kanë pësuar dëme materiale ndërsa deri më tani dyshimet e para janë se granata është hedhur nga një person i panjohur.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Mitrovicës, Ismet Ujkani në lidhje me këtë ngjarje.

Ai tha se ende nuk ka ndonjë person që është identifikuar për këtë rast.

“Deri më tani nuk kemi diçka, prokurori kujdestar është duke e hetuar rastin”- tha Ujkani për KALLXO.com.

Policia në raportin ditor ka njoftuar se si rast është bërë inicim i veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Pas shpërthimit, përveç dëmeve materiale nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.