Ende jashtë funksionit njëra prej pajisjeve për rrezatim në Onkologji, ShSKUK tregon arsyet

Brenda 48 orëve, dy pajisje për radioterapi mbetën jashtë funksionit në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Përderisa njëra prej tyre është rregulluar pas dy ditësh, tjetra vazhdon të jetë e prishur që pesë ditë dhe kjo po u pamundëson pacientëve marrjen e shërbimit nga kjo pajisje, pasi që ajo është e vetmja që ofron shërbime specifike.

“Pajisja për radioterapi, Akseleratori Linear Primus, është prishur brenda ditës, me datën 24.01.2023. Me datë 24.01.2023 nga kjo pajisje kanë pranuar shërbimin rreth 50% të pacientëve të planifikuar para se kjo pajisje të prishet, ndërsa pajisja e dytë për radioterapi, Elekta Infinity, është prishur me datën 25.01.2023, prandaj pacientëve të planifikuar për t’u ofruar shërbimet e nevojshme brenda datës 25.01.2023 nuk ka qenë e mundur të realizohet pasi që të dy pajisjet nuk kanë qenë në gjendje të rregullt pune” – tha drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (ShSKUK) për KALLXO.com.

Sipas ShSKUK-së, arsyet e prishjeve janë vjetërsia dhe ngarkesa e pandërprerë me punë për pajisjen e parë si dhe pasojat që shfaqen herë pas here nga vërshimet e ujërave atmosferike në verën e vitit të kaluar në lokacionin ku gjenden këto dy pajisje.

Pajisjes që vijon të jetë e prishur, siç thotë ShSKUK i janë identifikuar pjesët e dëmtuara nga serviserët e operatorit ekonomik të kontraktuar për mirëmbajtjen e saj dhe është bërë porosia për furnizimin e tyre.

ShSKUK tha se sipas kompanisë, pajisja pritet të rregullohet brenda javës, e deri atëherë pacientët e planifikuar për këtë periudhë nuk kanë mundësi t’i marrin shërbimet nga kjo pajisje.

Për prishjen e njërës nga këto pajisje, KALLXO.com ka raportuar edhe dy ditë më parë, pasi që një pacient i sëmurë me kancer në kushte anonimiteti tregoi se nuk ka mundur ta marrë shërbimin e rrezatimit për shkak se aparati ka dalë jashtë funksionit.

U.D. drejtori i kësaj klinike Arben Bislimi ka ofruar dorëheqjen e tij më 25 janar. ShSKUK tha se dorëheqja e tij nuk është aprovuar ende.