Ende asnjë parti politike nuk është ankuar në PZAP

Ndonëse ka kaluar pjesa më e madhe e ditës, deri në orën 14:00 asnjë subjekt politik nuk ka dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim që të mos i certifikojë listat e kandidatëve për deputetë të 3 subjekteve parlamentare.

Listat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate nuk u certifikuan nga KQZ pasi që nuk arritën votat e mjaftueshme.

PDK, LDK, Lista Serbe dhe Valdete Daka nuk kishin votua pro certifikimit për shkak se këto subjekte politike nuk i kishin zëvendësuar kandidatët që kanë qenë të dënuar me vendim të shkallës së prerë në 3 vitet e fundit.

Përfaqësuesit e këtyre 3 subjekteve politike në KQZ deklaruan mbrëmë se ata do t’i ndjekin rrugët ligjore duke apeluar fillimisht këtë vendim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kryesuesi i sekretariatit të këtij paneli para pak minutash tha shkurtimisht për KALLXO.com se ende nuk kanë pranuar asnjë ankesë.

Partitë politike dhe palët e përfshira nga vendimi i mbrëmshëm i KQZ-së kanë kohë 24 orë për t’i parashtruar ankesat e tyre në PZAP.KALLXO.com do të ju mbajë të informuar në lidhje me zhvillimet e sotme.

PZAP tregon se a janë ankuar partitë për moscertifikim