Emrat e zyrtarëve të akuzuar në lidhje me deportimin e gylenistëve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave në lidhje me rastin e deportimit të  gjashtë gylenistëve më 29 mars 2018.

Aktakuza është ngritur ndaj ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, Valon Krasniqit, drejtorit në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare.

Valon Krasniqi për KALLXO.com ka thënë se ka dëgjuar për aktakuzën por nuk e ka pranuar zyrtarisht ende.

Rrahman Sylejmani tha se nuk ka dëgjuar për aktakuzën por e din që ka qenë duke u zhvilluar një hetim. Ai tha se në emër të institucionit që e përfaqëson ka vepruar në bazë të ligjit.

“Kanë qenë tri institucione me përgjegjësi të ndryshme, fillimisht AKI, pastaj MPB dhe hallka e tretë na kanë ardhur letra te na. Kemi kry procedurat konform ligjit. Ballafaqohemi në gjykatë, nuk ka problem”

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me ish-shefin e AKI-së por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Prokuroria pretendon se se të pandehurit Driton Gashi dhe Valon Krasniqi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa i pandehuri Rrahman Sylejmani ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.

KALLXO.com kishte publikuar një seri hulumtimesh lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Dëshmitë se AKI planifikoi për 17 ditë arrestimin e Gylenistëve në Kosovë