Emrat e bordit të ri të ujësjellësit "Mitrovica"

Qeveria në detyrë ka shkarkuar bordin e KRU Mitrovica dhe ka emëruar një bord të ri në këtë ndërmarrje.

Sipas Qeverisë, ky bord është shkarkuar me arsyen se ka dështuar në realizimin e projekteve ndërkombëtare.

“Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka shkarkuar Bordin e Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A. për shkak të keq menaxhimit dhe të shkeljes së detyrave fiduciare. Nga raporti i auditimit për vitin 2018 shihet se pasqyrat financiare nuk kanë qenë për përputhje me standardet e kontabilitetit sipas ligjit dhe nuk ka prova se drejtorët e tanishëm të bordit kanë thirr në përgjegjësi zyrtarët përgjegjës. Gjithashtu ndërmarrja  ka dështuar në realizimin e projekteve me përkrahje ndërkombëtare dhe si pasojë e mosveprimit është tërhequr ndihma nga Luksemburgu, si i vetmi donator për ndërmarrjen. Rrethanat e përmendura i kanë dhënë arsye Qeverisë që të konstatojë se Bordi i drejtorëve ka shkelur detyrat fiduciare”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Qeveria Kurti ka shkarkuar bordin e vjetër të përbërë nga Sadri Konjuhi, Genc Mani, Halil Thaqi, Besim Shyti, Safet Sadiku, ndërsa ka emëruar në bordin e ri në përbërje të: Bajram Mustafa, kryesues dhe drejtor, Nora Ibishaga, drejtore, Bislim Fetahaj, drejtor, Edin Hajdarpashiq, drejtor.

Qeveria Kurti shkarkon bordin e ujësjellësit “Mitrovica”, nuk i tregon emrat e bordit të ri