Emocionet e prokurores kur kujton nënën që ende i mban flokët e vajzës së vrarë në masakrën e Mejës

Drita Hajdari, udhëheqëse e Departamentit për krime të luftës në Prokurorinë Speciale, ka deklaruar se për masakrën e Mejës, ku u vranë 374 persona, janë intervistuar mbi 200 dëshmitarë dhe janë lëshuar 57 fletarrestime ndërkombëtare.

Goran Radosavleviq- i njohur si “Guri” është në mesin e të kërkuarve.

“Për rastin e Mejës ende nuk ka aktakuzë, janë 374 viktima, rastin për Mejën e ka nisur EULEX-i ku ka intervistur 74 dëshmitarë, nga Policia e Kosovës janë edhe 133 dëshmitarë. Fillimisht është nxjerrë vendimi për fillim të hetimit kundër 20 të pandehurve, por hetimi jonë ka gjetur edhe 37 kryes pra 57 të pandehur për të cilët ka fletarrestime ndërkombëtare. Asnjë nuk është në Kosovë, të gjithë janë në Serbi”- deklaroi Hajdari.

Ajo tha se e ka përjetuar rëndë kur ka parë se një nënë mban ende flokët e prera të vajzës së vrarë në masakër.

“Kam shkuar personalisht në vendin ku ka ndodhur masakra e Mejës dhe e kam përjetuar shumë rëndë kur e kam takuar nënën që ende mban flokët e vajzës së vrarë”- tha ajo.

Hajdari tutje në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se sektori i hetimeve të luftës operon me vetëm dy makina të cilat janë të vitit 2005-2006.

Sipas saj, sektori i hetimeve të krimeve të luftës ka mungesë mjetesh pasi operon me vetëm 2 makina të vjetra.

“Intervistat për Mejën jane kryer falë një hetuesi i cili ka pasur problem me veturë. Ky sektor operon me  vetëm dy vetura të vitit 2005-2006”- shtoi ajo.

Po ashtu, lidhur me hetimet për krime lufte u theksua se prokurorët kanë vetëm 6 bashkëpunëtorë profesionalë.