Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Emocionet e prokurores Drita Hajdari për momentin e takimit me viktimën e dhunës seksuale

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, në emision “Kallxo Përnime” ka folur pas dënimit të parë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja Hajdari tregon se si viktima kishte shkuar te zyra e saj dhe kishte insistuar ta takonte atë.

“Ka qenë një ditë e rëndomtë pune, unë isha në zyrën time dhe punëtorët e sigurimit më lajmëruan se një grua dëshiron të më takojë. Unë isha shumë e zënë atë ditë dhe u thash me ardhë të nesërmen, mirëpo ajo ka këmbëngulur dhe ka thënë se do të qëndrojë aty deri sa nuk e pranon prokurorja Hajdari. Kështu ndodhi që unë i lash të gjitha punët e mia dhe e pranova palën. Ajo mu më rrëfeu për një ngjarje të tmerrshme, për një histori të hidhur që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë, ishte fjala për dhunim”, thotë Hjadari.

Viktima kishte parë në media se kishte filluar gjykimi i Zoran Vukotiqit, por ajo nuk ishte ftuar asnjëherë për të dëshmuar në atë rast.

“Ajo ka pritë që do ta ftojnë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë si viktimë, sepse në televizion ka parë se ka filluar gjykimi kundër Zoran Vokotiqit në atë gjykatë dhe ka pritur që ta ftojnë si viktimë, por kjo nuk ndodhur dhe kjo krijoi një shqetësim tek pala, për atë arsye erdhi tek unë. Unë e kontrollova data-bazën, por nuk ishte askund, asnjë deklaratë, asnjë gjurmë që ajo është paraqitur apo që figuron si palë e dëmtuar apo dëshmitare”, ka thënë prokurorja.

Prokurorja Drita Hajdari tregon se viktima kishte pohuar se menjëherë pas luftës në Kosovë kishte raportuar në UNMIK dhe EULEX, por që nuk kishte marrë asnjë dëshmi me shkrim për raportimin e saj.

“Pas verifikimit unë e hapa rastin, fillimisht nga Policia e Kosovës që ta intervistojnë palën dhe mandej unë e nxora aktvendimin për fillimin e hetimeve, i zhvillova hetimet të cilat rezultuan me aktakuzë”, tregon Hajdari.

Në mënyrë që viktima të ndihet më rehat dhe që të ruhet anonimiteti i saj, porkurorja e ka intervistuar atë në zyret e organizatës joqeveritare e cila kujdeset për mbrojtjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale.

“Viktimën e kam marrë në pyetje në zyret e organizatës joqeveritare e cila kujdeset për mbrojtjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në  Kosovë. E kam intervistuar në prezencën e psikologes, ku viktima është ndjerë më mirë”, ka thënë ajo.

Dje Gjykata e Prishtinës e dënoi me 10 vite burg Zoran Vukotiqin për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është dënimi i parë në Kosovë për këtë krim të kohës së luftës.