Kryeministri Albin Kurti në takim me Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Foto: Zyra e Kryeministrit

Emisari i ri për Dialogun Kosovë-Serbi vjen në Kosovë javën e ardhshme

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, diplomati danez Peter Sorensen do të zhvillojë vizitë zyrtare në Kosovë në javën e ardhshme.

Sorensen, i cili vjen për herë të parë në Kosovë në pozitën e re si Emisar për Dialog, do të qëndrojë nga 17.03.2025 deri më 19.03.2025.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur një Zëdhënëse e Bashkimit Europian.

Para Sorensen, Emisar për Dialogun Kosovë-Serbi ishte Miroslav Lajçak.

Sorensen ka marrë detyrën më 01.02.2025, pasi mandati i Lajçakut përfundoi më 31.01.2025.

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai ka qenë edhe Këshilltar i Lartë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) për Diplomaci Digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe Shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu, ka qenë edhe Shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Më herët, Sorensen ka punuar si Këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në Serbi. Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Kroaci.

Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje në rrugën drejt normalizimit të raporteve. 

BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit – duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

Megjithatë, Dialogu Kosovë-Serbi ka çaluar përgjatë viteve të fundit.

Në mars të vitit 2025 shënohen dy vjet qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut Kryeministri kosovar dhe Presidenti serb ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër të tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 Nene, ndër të tjera, parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha Marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë Dialogut.

Megjithatë, kjo Marrëveshje ka mbetur ende e pazbatuar.