Foto; Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi në Facebook.
Emisari gjerman Sarrazin takohet me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka nisur takimet në Kosovë.
Sarrazin është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ky i fundit njoftoi se me Sarrazinin kanë folur për zhvillimet e fundit politike në rajon, veçanërisht për zhvillimet në Kosovë.
“Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë. Për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm” – ka shkruar Krasniqi në Facebook, më 29.08.2024.
Sarrazin ka paralajmëruar se në mbrëmje do të mbajë konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës pas takimeve që do t’i mbajë në Kosovë.
Në shkurt 2022, Qeveria gjermane kishte emëruar Sarrazinin si të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.
Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, sepse pozita e tillë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane. Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër dhe ka qenë anëtar i Parlamentit gjerman nga viti 2008 deri në vitin 2021.