Emisari gjerman: BE-ja është e vetmja rrugë për Serbinë nëse dëshiron të jetë vend paqësor e prosperues

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se Bashkimi Evropian është e vetmja rrugë për Serbinë nëse dëshiron të jetë vend paqësor, prosperues dhe i suksesshëm.

“Unë mendoj se është e qartë se Bashkimi Evropian është e vetmja rrugë e mundshme për Serbinë nëse dëshiron të jetë një vend paqësor, prosperues dhe i suksesshëm”, ka thënë Sarrazin pasi u pyet për mendimin e tij lidhur me qëndrimin e serbëve që janë prorusë.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Sarrazin ka thënë se presidentit të vendit fqinj, Aleksandar Vuçiq presioni më i mirë që mund t’i bëhet është që të jenë të gatshëm të sjellin diçka në tavolinë nga ana e tyre në lidhje me çështje të caktuara që po diskutohen konkretisht dhe veçanërisht në javët e fundit, siç janë tabelat e regjistrimit të veturave e diskutimet lidhur me energjinë në veri të Kosovës.

Sipas tij, për këto çështje ‘të nxehta’ kanë parë që Kosova ka qenë më produktive.

“Ne dëshirojmë që Kosova të jetë produktive në detyrat që i ka, sinqerisht ne e kemi parë që Kosova ka qenë më produktive javët e fundit, në disa çështje të nxehta në javët e fundit, p.sh. për tabelat e regjistrimit të veturave, lidhur me energjinë në veri të Kosovës, ka lëvizur dhe shpresojmë që edhe serbët të lëvizin tani”, ka thënë Sarrazin.

Në anën tjetër, për mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia për Rusinë, Sarrazin ka thënë se kanë pritje të qarta kundrejt qeverisë serbe dhe kundrejt presidentit serb për t’u rreshtuar drejt një politike të përbashkët të sigurisë perëndimore.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova ka treguar forcë duke qenë shumë qartë në anën evropiane dhe duke qenë qartë pro Ukrainës dhe se për këtë fakt do të vlerësohet dhe do të ketë ‘fryte’ për Kosovën.