Emisarët për takimin në Beograd: Vlerësuam gatishmërinë e Vuçiqit për zgjidhje të krizës aktuale në veri

Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të diskutuar rreth situatës aktuale në veri të Kosovës.

Lajçak përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se me Vuçiqin kanë pasur diskutime të gjata teksa shtoi se vlerësojnë gatishmërinë e presidentit serb për zgjidhje politike për krizën aktuale.

“Në Beograd, Escobar dhe unë patëm diskutime të gjata me presidentin Vuçiq për gjendjen e ndërlikuar të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe nevojitet urgjentisht një zgjidhje politike për krizën aktuale. Ne e vlerësuam gatishmërinë e tij për të kontribuar në të”- ka shkruar Lajçak.

Emisarët Lajçak dhe Escobar kanë qëndruar të hënën dhe të martën në Kosovë dhe janë takuar me zyrtarë të lartë shtetëror. Ata janë takuar edhe me partitë opozitare dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Pas takimit e të hënës me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së karshi palës kosovare.

Që nga mesdita e 26 majit 2023 serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.