Foto: Donika Emini/Facebook

Emini reagon për kërcënimet ndaj Valdete Dakës: Me gra ja don fort

Analistja politike, Donika Emini i ka dalë në mbrojtje kryetares së KQZ-së Valdete Daka, pasi kjo e fundit tha se ka marrë disa kërcënime.

Emini ka lavdëruar organizimet e zgjedhjeve nga KQZ-ja dhe e ka denoncuar kërcënimet ndaj Dakës.

“Valdete Daka nuk e ka marrë vendimin as për Kurtin e as për verifikimin e votuesve nga diaspora. Të parin e ka marrë Gjykata Kushtetuese. Të dytin e kanë marrë në pajtim me përfaqësuesit e partive politike në KQZ. Tash, Daka mundet me u konsideru si e afërt me establishment. Ama, KQZ ka organizu super zgjedhje vjet e sivjet ne rrethana të tmerrshme.  Ama po ju kuptoj që me Dakën e keni ma lehte me u kap e me kërcënu. Me gra ja don fort!”, ka shkruar analistja.

Kandidati për deputet i LVV-së, Glauk Konjufca, në TV Dukagjini të mërkurën ka thënë se Valdete Daka është kundër Albin Kurtit.

Kjo pasi Kurti është në mesin e pesë kandidatëve të listës së LVV-së, që iu ndalohet kandidimi për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka deklaruar sot se ndjehet e kërcënuar. Ajo ka thënë se akuzat e partive politike në adresë të KQZ-së dhe në adresën e saj personale, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.

“Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Unë nuk e kam shkruar as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zbatimin e kësaj dispozite ligjore”, ka thënë Daka.

Sipas kryetares së KQZ-së, çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Gjykatën Supreme.

Kushtetuesja e ka rrëzuar Qeverinë Hoti duke thënë se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës”.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.