Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Emilja Rexhepi bën të ditur emrin e ambasadores në Izrael

Kandidatja për deputete nga partia NDS, Emilja Rexhepi, e ftuar në Debat Pernime ka treguar se ambasadorja e re e Kosovës në Izrael do të jetë Ines Demiri.

Premtimet dhe zotimet e partive politike do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

“Dua të shtoj që ambasadorja jonë do të jetë Ines Demiri, fqinja ime nga Prizreni, si dhe e di që do ta ushtrojë atë funksion ambasadori në Izrael në mënyrë profesionale”, ka thënë Rexhepi.

Gjithashtu, Rexhepi ka thënë se ministri i ardhshëm i punëve të brendshme duhet ta luftojë nepotizmin nëpër konsullata dhe ambasada.

“Shpresoj që kryeministri ynë i ardhshëm, përkatësisht ministri i punëve të jashtme, ta luftojë atë nepotizëm, atë familjarizëm, që ka qenë deri tash në konsullata e ambasada, ta luftojë, si dhe shpresoj që më në fund, të kemi një kor diplomatik që shteti ynë e meriton, një kor diplomatik që do të na përfaqësojë neve, në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ajo.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Valon Murtezaj nga LDK, Haki Abazi nga VV dhe Emilja Rexhepi nga NDS, të cilët do të flasin për ‘Politikën e jashtme’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i Debat Pernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.