Emilija Rexhepi

Emilija Rexhepi me kabinet prej 15 anëtarëve, dy prej tyre shoferë

Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut në Qeverinë e Kosovës, Emilija Rexhepi ka një kabinet prej 15 të emëruarve politik.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar listën e të gjithë të emëruarve politik në kabinetin e zëvendëskryeministres Rexhepi.

Almir Saiti është këshilltar i lartë politik në kabinetin e zëvendëskryeministres Rexhepi, ndërsa Melisa Azizoviq, këshilltare politike dhe shefe e kabinetit të saj.

Rroga bazë e një zëvendëskryeministri është 1,410.55 euro, ndërsa rroga bazë e këshilltarit të lartë në Kryeministri është 720.72 euro.

Shtatë këshilltarët e tjerë politik në kabinetin e Rexhepit janë, Rejhan Abdi, Sahit Kandiq, Arif Alija, Semo Odoviq, Mihret Salkoviq, Skender Kandiq dhe Bajrush Ferati.

Rroga bazë e një këshilltari politik në Kryeministri është 600.60 euro.

Kabineti i zëvendëskryeministres përbëhet edhe nga Almedina Salihi, asistente e lartë ekzekutive, Nermina Aliti-Hameli, zyrtare e lartë e protokollit, Zana Krasniq-Saraçi, asistente administrative, Fikret Rama, asistent administrativ.

Poashtu në kabinetin e zëvendëskryeministres Rexhepi janë të punësuar dy shoferë. Sipas të dhënave zyrtare, Emil Murselji dhe Memed Veliji janë dy shoferët e punësuar në kabinetin e Rexhepit.

Dy shoferë të emëruar në kabinet i ka edhe zëvendëskryeministri tjetër, Besnik Bislimi.

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna për emërimet nga kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe gjithë ministrat për gjithë të punësuarit në kabinetet e tyre.

Kjo kërkesë është bërë me qëllim të verifikimit nëse premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore për luftimin e nepotizmit janë duke u zbatuar nga kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës me rastin e kompletimit të stafit të tyre.

KALLXO.com në vazhdimësi do të raportojë për emërimet në dikasteret qeveritare.