Emigrantët e ngecur nëpër kampe në Ballkan nuk festojnë dot Ramazanin

Është muaji më i shenjtë i Ramazanit dhe shumë refugjatë dhe emigrantë që kalojnë Ballkanin gjatë rrugës së tyre për në Europën Perëndimore po përjetojnë atë në rrethana veçanërisht të vështira – të ngecur në kampe emigrantësh në Bosnjë dhe Serbi, larg shtëpisë, dhe shumë larg destinacioneve ku ata shpresonin të mbërrinin.

Basher, 25 vjeç, nga Afganistani, i cili ka ngecur në kampin Bira në Bosnjën perëndimore, afër kufirit me Kroacinë, ka mall për shtëpinë. “Më ka marrë malli për atdheun tim sepse gjatë Ramazanit ne jemi të gjithë bashkë në shtëpi, me familjen tonë, duke agjëruar, duke u falur së bashku dhe gjithashtu duke ngrënë së bashku”, tha ai.

Por, ndërsa përsëriste se i mungonte familja dhe shtëpia e tij, lajmet më të fundit tronditëse nga Afganistani që ai mësoi atë ditë, më 12 maj, i sollën atij gjithashtu në kujtesë arsyen pse u largua.

Njerëz të panjohur të armatosur kishin sulmuar një materniteti në Kabul, duke vrarë të paktën 16 njerëz, përfshirë dy foshnje të porsalindura. Ky lajm i theu zemrën, tha Basher. “Dyzet vjet luftëra e kanë dëmtuar vendin tonë dhe ai ka nevojë të rin dertohet”, tha ai.

Ai tha se vjen nga një familje e varfër dhe kishte kaluar shumë vende gjatë rrugës së tij për një jetë më të mirë, por se tani ka ngecur në Bosnje prej më shumë se një viti.

Pasi bëri disa përpjekje të pasuksesshme për të kaluar kufirin kroat për në BE, odiseja e tij mbetet e papërfunduar.

Ndërkohë, ai po e kalon muajin e shenjtë në një kamp nga i cili nuk mund të largohet për shkak të kufizimeve të lëvizjes të vendosura në Bosnje për shkak të koronavirusit.

IOM thotë se po bën të pamundurën

Një fotografi që BIRN e mori nga kampi i refugjatëve dhe emigrantëve Krnjaca në Serbi.

Gjatë Ramazanit, besimtarët myslimanë agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndimin të tij, kur ata e prishin argjëimin dhe hanë iftarin si familje. Një vakt tjetër, suhuri, mund të konsumohet në orët e para të agimit.

Myslimanët gjithashtu marrin pjesë në faljet komunale disa herë në ditë gjatë Ramazanit. Në fund të muajit, të gjithë besimtarët mblidhen në xhami për mëngjesin e parë të Fiter Bajramit, kur besimtarët dalin nëpër oborre dhe rrugë.

Asgjë nga këto nuk praktikohet në një kamp në Bosnjë, ku kufizime të ndryshme të koronavirusit mbeten në fuqi. Qytetarët e huaj nuk lejohen të hyjnë në vend, për shembull, dhe entiteti i Federatës së Bosnjës gjithashtu i ka zgjatur masat e caktuara deri më 15 maj, duke përfshirë ndalimin e lëvizjes në natyrë të personave mbi 65 vjeç dhe nën 18 vjeç. Ata mund të lëvizin vetëm në ditë të caktuara.

“Këtu gjërat janë shumë ndryshe”, tha Basher për BIRN, duke na treguar fotografi dhe video të refugjatëve dhe emigrantëve në kamp që organizojnë falje në sallën e madhe.

Aktualisht ka rreth 7,500 emigrantë të regjistruar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM, tha për BIRN se të gjitha qendrat e pranimit të përkohshëm në vend ofrojnë një hapësirë ​​të veçantë për falje.

IOM tha gjithashtu se, duke përdorur fonde të Bashkimit Europian, përgatit tre vakte në ditë për emigrantët dhe se, gjatë Ramazanit, përgatiten iftare dhe duhure speciale, “të cilat janë shumë të ushqyeshme”.

Basher tha se shokët e tij emigrantë po e kalonin pjesën më të madhe të kohës në radhë të gjata për ushqim dhe se ankohen për kushtet e ushqimit dhe higjienës.

Por IOM tha që po bëheshin përpjekje të mëdha për të përmirësuar ushqimin. IOM tha gjithashtu se, për shkak të pandemisë, kushtet higjieno-sanitare janë ngritur në një nivel edhe më të lartë.

IOM tha BIRN: “IOM organizoi një workshop me një kuzhinier nga Pakistani i cili organizoi një trajnim për disa shefa vendas.  IOM ka siguruar të gjitha erëzat e disponueshme që përdoren tradicionalisht në vendet nga vijnë emigrantët.

IOM shtoi se kishte kryer një sondazh midis emigrantëve me pyetje në lidhje me cilësinë e ushqimit të tyre, i cili tregoi se “76.34 për qind e pjesëmarrësve u përgjigjën se ishin të kënaqur me shpërndarjen e përgjithshme të ushqimit”.

Megjithatë, gjendja shpirtërore në disa kampe në Bosnje mbetet shumë qetësuese. Në kampin e emigrantëve të përkohshëm në Lipa, gjithashtu në perëndim të Bosnjës, afër kufirit me Kroacinë, në një trazirë të fundit u përfshinë një numër i madh emigrantësh që dëmtuan një automjet policie në përleshje me këtë të fundit.

Snezana Galiç, nga policia në Kantonin Una-Sana të Bosnjës, tha për mediat të mërkurën se telashet filluan të hënën, kur 200 deri 300 emigrantë nisën rebelimet për shkak të mungesës së supozuar të ndihmës mjekësore.

Lipa është një nga tetë qendrat për emigrantët në Bosnjë dhe ishte e fundit që u ndërtua. Zhvendosja e emigrantëve në kamp filloi në gjysmën e dytë të prillit, pasi autoritetet vendosën ndalimin e lëvizjes për të gjithë emigrantët, si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, policia tha se shumë nga emigrantët që u transferuan në Lipa u larguan nga kampi shumë shpejt dhe u kthyen në qytetin e Bihacit.

Peter Van der Auweraert, kreu i misionit të IOM në Bosnje, tha për BIRN se kufizimet e përgjithshme të lëvizjes janë ende në fuqi, por se ndërkohë që emigrantët nuk mund të largohen nga qendrat e tyre të akomodimit, IOM kishte arritur “të zbuste disa nga pasojat e këtij izolimi”.

“Këto masa përfshijnë qasjen në dyqane. Në vend të kësaj tregtarët vijnë në qendrat e përkohshme të pritjes ose përfaqësues të emigrantëve blejnë furnizime në emër të emigrantëve të tjerë, në prani të IOM”, tha Van der Auweraert, duke shtuar se masat përfshijnë gjithashtu lejimin e grupeve të vogla të emigrantëve që të shkojnë në zyrat e Western Union, ku ata mund të tërheqin para, “nën kushte të kontrolluara dhe me lejen e policisë”.

Tani që kufizimet e përgjithshme në Bosnje po hiqen, vazhdoi Van der Auweraert, mund të jetë koha që kufizimet për emigrantët të rishikohen dhe të lejohen “të lëvizin lirshëm të paktën ata emigrantë që i janë nënshtruar një kontrolli mjekësor dhe nuk kanë treguar shenja të COVID-19”.

“Ramazanin tjetër do të jem në Europën Perëndimore”

Një fotografi që BIRN e mori nga kampi i refugjatëve dhe emigrantëve Krnjaca në Serbi.

Bilali, një kurd nga Iraku, po e kalon Ramazanin e tij në një kamp në Serbi. Autoritetet serbe mbyllën të gjitha kampet e emigrantëve dhe refugjatëve në vend kur pandemia e COVID-19 goditi vendin.

Kampi i tij i mëparshëm në Sombor, në veriperëndim të Serbisë, u mbyll rreth 15 marsit, tha ai, dhe dhjetë ditë më vonë ai u sistemua në një kamp tjetër në Krnjaca, afër Beogradit.

Më 4 prill, Komisariati i Serbisë për Refugjatët dhe Migrantët tha se kampet në Serbi strehonin gjithsej 8,703 persona.

Serbia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 15 mars dhe dy ditë më vonë qeveria tha se askush nuk mund të hynte apo dilte nga kampet pa një leje të posaçme dhe se këto vende do të ruheshin nga ushtria.

Bilal tha se ai kishte kujtime të bukura nga Ramazani në rajonin e tij kurd në Irak, ku “kishim shumë ushqime speciale, kishim gjithçka”.

Sigurisht që në Serbi gjërat nuk ishin njësoj. “Këtu nuk festojmë dhe të gjithë janë të nervozuar, sepse kur nuk rri në një vend, je nervoz gjatë gjithë kohës”, tha ai për BIRN.

Ai e përshkroi si të vështirë festimin e Ramazanit në kamp. “Ne kemi nevojë për disa ushqime të veçanta, për shembull ëmbëlsira, ushqim të shijshëm, por, për fat të keq, ata nuk na lejojnë të dalim dhe t’i blejmë këto”, tha ai për BIRN.

Sipas tij, njerëzit në kamp gjithashtu nuk e dinë se kur do të jenë të lirë të ikin.

Komisariati për Refugjatët dhe Migrantët tha për BIRN se po bënte çmos për t’i ndihmuar myslimanët të festonin muajin e shenjtë. “Sigurimi i ushqimeve të dëshiruara dhe shijshme të veçanta që përgatiten gjatë iftarit është i mundur falë tregut në Krnjaca dhe prokurimi i të cilit është përshtatur për nevojat, në përputhje me mundësitë”, tha ai.

Por Bilal thotë se tregu që operonte brenda qendrës ishte i shtrenjtë dhe sistemi i mëparshëm për të lejuar vetëm një person të dilte jashtë dhe të blinte ushqim për pjesën tjetër të njerëzve kishte rezultuar gjithashtu i vështirë për t’u menaxhuar.

“Më parë, ata thanë se një person nga një kamp mund të dilte jashtë dhe të blinte diçka për familjet e tjera, por kjo është e vështirë sepse ne jemi sirianë, pakistanezë, kurdë… Kështu që si munden 14 familje t’i besojnë një personi se do t’u sjellë atyre ato që ata dëshirojnë? Është e vështirë”, tha ai për BIRN.

As faljet nuk janë të lehta. Në kamp është një sallë për t’u falur, por, për shkak të kufizimeve të koronavirusit në fuqi në Serbi, të cilat ndalojnë tubime në grupe të mëdha, banorët e kampit u këshilluan të mos e përdorin atë. Komisariati tha se i kishte këshilluar “të gjithë ta realizojnë faljen në dhomat e tyre për sa kohë masat kufizuese janë ende në fuqi”.

Ismaili, një emigrant nga Algjeria, i cili ka ngecur në Serbi, në një kamp afër qytetit perëndimor të Sidit, kujton me nostalgji Ramazanin që festonte në rrethin e tij familjar.

Ndërsa pret shansin e tij për t’u larguar nga kampi, ai tha se ai dhe “një grup miqsh algjerianë po përpiqen të krijojnë atmosferën e tyre të Ramazanit”.

Ndërkohë, Serbia ka vendosur trupa afër kampit. Sipas raporteve të mediave më 16 maj, ushtria u vendos aty për të mbrojtur popullsinë vendase nga ngacmimet dhe grabitjet e pretenduara të kryera nga emigrantët.

“Serbët kanë krijuar një përshtypje të gabuar për emigrantë”, vuri në dukje ai, duke shtuar se ai ia kishte kaluar shumë keq në Ballkan dhe se kishte përjetuar gjithashtu shumë dhunë policore.

“Ramazanin tjetër, do të jem në Europën Perëndimore. Nëse nuk mbërrij dot atje, atëherë do të kthehem në Algjeri”, përfundon ai./