Emërohet zëvendësdrejtori i ri i AKI-së

Dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sot kanë emëruar Agon Bytyqin zëvendësdrejtor të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Emërimi i Bytyqit si numri dy i AKI-së vjen një ditë pasi Osmani e Kurti shkarkuan Vlora Hysenin nga pozita e zëvendësdrejtoreshës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës, kanë emëruar sot  Agon Bytyqin, zëvendësdrejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenca ka njoftuar edhe për shkollimin dhe përvojën e Agon Bytyqit.

“Zëvendësdrejtori i sapoemëruar i AKI-së, ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës më 2008, ndërkaq studimet master në fushën e drejtësisë i ka përfunduar më 2012. Një pjesë të studimeve, z.Bytyqi i ka përfunduar në SHBA. Ai, gjithashtu ka përfunduar provimin e Jurisprudencës më 2018. Ka përvojë 11-vjeçare në fushën e sigurisë, si dhe në atë të bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në fund të njoftimit.