ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com
Emërohet kryesuesja e re e Panelit për Lirim me Kusht
Në mbledhjen e 355-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, më 31.10.2024, Mejreme Mema është zgjedhur kryesuese e panelit për lirim me kushte, kurse Agim Maliqi është zgjedhur zëvendës-kryesues.
Zgjedhja e tyre është bërë me votat unanime të anëtarëve prezentë në këtë mbledhje dhe pas propozimeve të dërguara nga Gjykata Supreme.
Cila është rëndësia e Panelit për Lirim me Kusht?
Sipas përshkrimit të ofruar në faqen zyrtare të KGJK-së, ndër të tjera thuhet se, Paneli për Lirim me Kusht është kompetent për shqyrtimin e të gjitha kërkesave për lirim me kusht, të parashtruar nga të dënuarit përmes Institucioneve Korrektuese.
“Lirimi me kusht si procedurë ligjore synon të arrije zvogëlimin e efekteve negative të burgosjes për personat e dënuar, parandalimin e kryerjes së veprave penale, duke ofruar mundësinë për rehabilitim dhe ri-integrim të personit të dënuar në shoqëri, përgatitjen për ri-integrim me qëllim që personi i dënuar ta menaxhojë jetën e tij në një mënyrë të përgjegjshme, shoqërore, dhe pa ra ndesh me ligjin pas lirimit, mbrojtjen e shoqërisë duke ndihmuar në parandalimin e kryerjes së veprave penale të mëtejshme” – shpjegohet më tutje.
Por precizohet se në mënyrë që një kërkese për lirim me kusht të shqyrtohet nga Paneli, duhet të përmbush kushtet ligjore për kualifikueshmëri për lirim me kusht të përcaktuar në nenin 90 të Kodit Penal.
Ndër kushtet e parapara me këtë Kod është edhe sjellja e të burgosurit gjatë mbajtjes së dënimit dhe koha e detyrueshme për të qëndruar në burgim përkitazi me dënimin para se të lirohet me kusht nga ky panel.
Përkatësisht personi i dënuar për veprën penale për të cilën është paraparë dënim me të paktën 5 vjet burgim, mund të lirohet me kusht pasi të ketë mbajtur dy të tretat (2/3) e dënimit të shqiptuar.
Për vepra tjera penale, personi i dënuar mund të lirohet me kusht pasi të ketë mbajtur gjysmën e dënimit të shqiptuar.
Kurse për personin e dënuar me burgim të përjetshëm precizohet, ndër të tjera, se mund të lirohet me kusht pasi të ketë mbajtur 30 vjet nga dënimi me burgim i shqiptuar.