Emërohet Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës

Kuvendi i Kosovës, ka votuar emrat e propozuar nga Qeveria e Kosovës për Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Edhe pse dy subjektet opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kundërshtuar emërimin e këtij komisioni, me 63 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim ka kaluar propozimi i qeverisë.

“Mandati i anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës është pesë vjeçar”, ka konstatuar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar emrat e anëtarëve të këtij komisioni për të cilët ka kërkuar të votohen.

Nga 5 anëtarët e propozuar katër prej tyre janë gra dhe një burrë.

“Autoriteti i Konkurrencës është autoritet i rëndësishëm për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe efektive në vend. Ne si qeveri kemi bërë përpjekje që Kuvendit t`i propozojmë kandidat të përgatitur profesionalisht me integritet moral për komisionin e mbrojtjes së konkurrencës”, tha Kurti.

Kurti ka lexuar emrat e propozuar dhe ka përshkruar përvojën e secilit.

Për kryetare të Komisionit Kurti ka përmendur emrin e Neime Binaku Isufi e cila sipas tij është ekonomiste e diplomuar në drejtim banka e financa dhe ka përvojë të gjatë profesionale.

Për zëvendës kryetare është propozuar Kaltrina Sela.

“Është juriste me profesion njohëse në menaxhimin e rrezikut dhe sistemit të kontrollit të brendshëm të institucioneve publike e po ashtu edhe në fushën e legjislacionit të prokurimit publik”, tha Kurti.

Violeta Jakaj Spaçi, anëtare. Kryeministri tha se Jakaj Spaqi është juriste me profesion 21 vite përvojë ligjore dhe pajtueshmëri në sektor financiar bankar, etj.

Besim Stublla anëtar. Ai sipas Kurtit ka diplomuar në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit në Universitetin Amerikan në Kosovë ka përvojë 10 vjeçare pune gjithëpërfshirëse në menaxhim.

Nafie Osdautaj ekonomiste e diplomuar në fakultetin ekonomik në Prishtinë. Kurti tha se Osdautaj ka përvojë të gjatë në fushën e buxhetit e financave dhe ka punuar zyrtare e lartë e buxhetit në Ministrinë e Shëndetësisë për 14 vite.

“E kërkoj nga ju votën tuaj për emërimin e komisionit për mbrojtjen e konkurrencës me përbërjen posa e shpalosa para juve”, tha ajo.

Valentina Bunjaku Rexhepi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se më shumë se një vit iu është dashtë Qeverisë së Kosovës që të vij me emrat e propozuar për këtë Komision.

“Qytetarët janë dëmtu më tepër se një vit në mungesë të autoritetit të konkurrencës”, tha ajo duke treguar se kanë vërejtje në procedurë dhe në emrat e propozuar dhe se si LDK nuk marrim pjesë në votim.

Besnik Tahiri kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se e kundërshtojnë këtë komision.

“Arsyeja pse e kundërshtoj ketë komision ka të bëjë me atë se Qeveria Kurti do të jetë qeveria që do të hyjë në histori si qeveria më e ngadalshme. Autoriteti i konkurrencës është jo funksional prej qershorit të vitit të kaluar dhe qeveria nuk ka mundur t`i propozojë pesë emra. Autoriteti kishte me pas një rol profesional në vendimin për rritjen e çmimit të energjisë dhe nuk kishim ardhë me pru Kosovën në kolaps”, tha Tahiri.

Në muajin prill të këtij viti, Qeveria ka ndryshuar emrat e të propozuarve për anëtarë të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Në vendimin e marrë ishte propozuar Neime Binaku Isufi në vend të Hekuran Nikqit. Në vend të Shpend Miftarit është zëvendësuar Violeta Blakaj Spaçi.

Qeveria ndryshon emrat e propozuar për udhëheqjen e Autoritetit të Konkurrencës (kallxo.com)