Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Emërohet Këshilli i ri Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka emëruar Këshillin e ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, MKRS ka njoftuar se sot, me vendim të ministrit Çeku, janë emëruar shtatë anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këshilli i ri Drejtues, me mandat 4 vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.

Qeveria e re, thuhet në komunikatë, i trajton me prioritet të veçantë institucionet kombëtare të kulturës.

“Vendimi i sotëm është i hapi i parë për ndërtimin e një vizioni të ri për Teatrin e Kosovës. Ditëve në vijim, Ministria do të ndërmarrë veprime tjera për institucionet kombëtare të kulturës që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale, pavarësinë programore dhe artistike, zhvillimin e audiencave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit vendor artistik”, thuhen në komunikatën e MKRS-së.