Emërohet Këshilli i ri Drejtues i Galerisë Kombëtare, reagon ish-anëtarja

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka emëruar Këshillin e ri Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Emërimi i KD-së së GKK-së është bërë pak kohë pasi MKRS-ja ka hapur konkurs për zgjedhjen e drejtorit të kësaj galerie.

KD i GKK-së përbëhet nga 7 anëtarë me mandat 4 vjeçarë. Ndërsa emërohen me një vendim të veçantë nga ministri i Kulturës.

Vendimi për emërimin e KD-së së ri të Galerisë Kombëtare është marrë më 8 dhjetor 2020.

Këshilli i ri përbëhet nga: Zake Prelvukaj, kryetare, ndërsa anëtarë: Agim Salihu; Blerta Syla- Surroi; Shyqri Nimani; Bastri Makolli; Vjosa Sadriu- Hamiti dhe Fatmir Hoxha, përfaqësuese i MKRS-së.

“Anëtarët e KD-së së GKK-së, kompensohen financiarisht për punë e tyre. Kompensimi lejohet në vlerë prej 125 euro për kryetaren, ndërsa nga 100 euro për anëtarët, për secilën mbledhje”, thuhen ndër të tjerash në vendimin e ministres Dumoshi për emërimin e KD-së së ri të GKK-së.

Ndaj vendimit për emërimin e KD-së së ri të GKK-së, ka reaguar ish- anëtarja e KD-së së shkarkuar, skulptorja Arjeta Miftari.

Përmes një postimin në Facebook, të titulluar “Çka fshihet pas shkarkimit?!”, skulptorja Miftari e ka lidhur shkarkimin e KD-së së kaluar dy ditë më parë, me konkursin për drejtor të GKK-së që është hapur pak ditë më parë.

“Nuk habitem me vendimin, pasi që sikurse çdo gjë tjetër në Republikën e Kosovës edhe ne Galerinë Kombëtare të Kosovës agjendat partiake dhe politike duan të shtynë përpara, ndoshta përbërja aktuale e Këshillit Drejtues është parë si pengesë në këtë drejtim. Para disa ditësh Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit pa njoftuar Këshillin Drejtues ka hapur konkurs për Drejtor të Galerisë Kombëtare. Hapja e konkursit në këtë mënyrë është në kundërshtim me nenin 16 të Statusit të Galerisë Kombëtare të Kosovës”, ka shkruar Miftari në Faceboook.

Ajo ka thënë se MKRS do të duhet ta jepte edhe arsyetimin që ka shtyrë në shkarkimin e KD-së së kaluar dhe emërimin e atij të ri.

KD-ja i kaluar i GKK-së ishte emëruar më 09.11.2017 ndërsa është shkarkuar dy ditë më parë më 8.12.2020.