Emërohet drejtori i ri i Kadastrit në Komunën e Mamushës
Kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniç, ka njoftuar se ka emëruar Drejtorin e ri të Urbanizmit dhe Kadastrit pas shkarkimit të drejtorit të mëhershëm për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.
Krasniç ka njoftuar se drejtori i ri është Erhan Taç.
“Sot, Erhan Taç, një i diplomuar në Universitetin Sakarya, është emëruar si Drejtor i Planifikimit, Urbanizimit dhe Kadastrit. Shpresoj se do të arrijmë punë shumë më të suksesshme së bashku me miqtë tanë të rinj. Fat i mirë për të gjithë qytetarët tanë”, ka shkruar Krasniç.
Ish- drejtori i të Urbanizmit të Komunës së Mamushës, Ramadan Morina ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe gjobë 800 euro për mosraportim të pasurisë.
Sipas Prokurorisë, në formularin për deklarimin e pasurisë të datës 28.03.2019, të paraqitur në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë, Morina nuk ka bërë deklarimin në zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare të prindit të tij H.M., si dhe të hyrat nga këto aksione, të dhëna këto të domosdoshme për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik.
Vendimi i gjykatës thekson se dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale brenda 1 viti.