Emërohet drejtori i Policisë
Gazmend Hoxha është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Vendimi për emërimin e tij është marrë sot në mbledhje të Qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme pas proceduarave ka propozuar Hoxhën për këtë pozitë.
“Policia është e domosdoshme që të vazhdojë përmbushjen e misionit të saj. MPB ka zhvilluar procedurat me ç’rast i ka propozuar Qeverisë kandidati”- ka thënë Kurti.
Zëvendësministri i Brendshëm, Bardhyl Dobra, ka thënë se për këtë pozitë kanë aplikuar pesë kandidatë.
“MPB ka zhvilluar procedurën, kanë aplikuar 5, 4 kanë hyrë në listë të ngushtë dhe janë ftuar për të marrë pjesë, ministrit i janë rekomanduar Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Bahri Shala. Ministri e propozon si kandidat Gazmend Hoxhën”- ka thënë ai.
Në fund të shkurtit janë bërë gjashtë muaj prej kur institucioni i sigurisë në vend, Policia e Kosovës, nuk ka drejtor.
Ky institucion që nga 30 gushti i 2022-ës po udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, i cili deri në ditën e dorëheqjes së ish-drejtorit Samedin Mehmeti mbante pozitën e zëvendësdrejtorit.
Ndërsa, dorëheqja e Mehmetit kishte ardhur për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, për rastin ku dyshohet se ishte dhunuar një 11-vjeçare në Prishtinë.
Ministri Sveçla propozon Gazmend Hoxhën për drejtor të Policisë