Emërohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

Samedin Mehmeti është Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Zyra e Kryeministrit, ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur sot Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

“Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e z. Samedin Mehmeti, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Në mbledhjen e sotme sipas ZKM-së është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, të Projektit për sigurinë e rrjetit  të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës. 

‘Bëhet fjalë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës, që vlerësohet të jetë i ndjeshëm dhe konfidencial”, thuhet në njoftim. 

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se Kandidati Samedin Mehmeti ka qenë më i poentuari nga ekspertët britanikë, duke grumbulluar 29.5 pikë. Mehmeti është caktuar ushtrues detyre i Drejtorit të Policisë pas shkarkimit të drejtorit, Rashit Qalaj. Të emërueshëm sipas ekspertëve britanikë janë edhe dy kandidatë të tjerë: Fahredin Vërbovci që ka marrë 26 pikë dhe ish-Drejtori Rajonal i Policisë në Prishtinë, Rexhep Sijarina që ka grumbulluar 24 pikë.

Në ueb faqen e Ambasadës Britanike mbrëmë, janë publikuar rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Drejtor të Policisë së Kosovës. Kompania e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë në rekrutim të pozitave të larta drejtuese i kanë publikuar rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Drejtor të Policisë së Kosovës.

Publikohen rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Drejtor të Policisë