Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Emërohen tre anëtarë të rinj në Këshillin Drejtues të UP-së

Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtiëns ‘Hasan Prishtina’ i janë bashkëngjitur edhe tre anëtarë të rinj.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami sot ka marrë vendim që t’i emërojë si pjesë të KD-së Muharrem Bajrami, Fisnik Reçica dhe Mentor Gecin.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se vendimi është marrë me qëllim të funksionalizimit të Këshillit Drejtues të UP-së.

Më 20 shkurt, anëtarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu Selimi ka ofruar dorëheqjen e saj nga kjo pozitë, duke listuar edhe një sërë shkeljesh që sipas saj janë bërë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në letrën e saj drejtuar rektorit të UP-së, Marjan Demaj, ajo ia ka numëruar atij  kritikat drejt këtij institucioni.

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit.

Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë, dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.