Foto: Ministria e Mbrojtjes, Facebook
Emërimi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, CorrWatch pretendon se ka shkelje
Iniciativa CorrWatch po pretendon se procesi i rekrutimit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes është karakterizuar me shkelje.
CorrWatch është iniciativë që është themeluar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Reagimi më pas është shpërndarë edhe në faqen zyrtare të Ambasadës britanike në Kosovë.
“CorrWatch gjatë monitorimit të këtij procesi ka identifikuar se është tejkaluar afati për mbajtjen e intervistave” – thuhet në reagim.
Tutje në reagim u tha se Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për procedurën e pranimit në shërbimin civil thekson që pas vlerësimit të testimit me shkrim, vlerësimi i kandidatëve vazhdon me intervistën, e cila realizohet në mënyrë verbale e cila duhet të përfundojë më së voni 15 ditë pas përfundimit të vlerësimit të testit me shkrim.
CorrWatch theksoi se në rastin e procesit të rekrutimit të sekretarit të përgjithshëm të MM-së kishin kaluar 21 ditë nga mbajtja e testit me shkrim deri te intervistat.
“CorrWatch ju bënë thirrje të gjitha institucioneve kompetente të marrin të gjitha veprimet e parapara ligjore. Në të njëjtën kohë ripërsërisim kërkesën tonë drejtuar KPMSHCK për monitorim të jashtëzakonshëm të procesit rekrutues, i cili realizohet në raste të shkeljeve ligjore në shërbimin civil në mënyrë që të rivendoset ligjshmëria” – thuhet në reagim.
Në reagim u theksua se projekti Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes në Ambasades britanike në Kosovë.
Po ashtu u tha se përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi vetëm e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
Gafurr Dugolli është emëruar sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes me vendim të Qeverisë më 11.09.2024.
Gafurr Dugolli është vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë ai, teksa ka thënë se vëllai i tij nuk ka aspak ndikim në këtë proces.
“Aspak. Ka qenë procedurë e rregullt rekrutimi e cila ka kaluar edhe përmes Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës e gjithashtu është monitoruar nga GLPS. Sa për info tuajën unë punoj në ketë institucion dhe paraardhësit e këtij institucioni – TMK e FSK që nga themelimi. Konkurroj që 5 herë. Dy herët e fundit jam i vetmi që mbërrij pikët e nevojshme mirëpo në mungesë të kandidatëve tjerë kanë dështuar këto procedura. Ketë herën e fundit kemi qenë dy kandidatë që kanë kaluar. Rrjedhimisht janë plotësuar kushtet ligjore. D.m.th. asnjëherë kandidatët tjerë s’kanë mundur të mbërrijnë pikët e nevojshme. Po të kishte ndikim Enveri do të isha bërë para dy tri viteve”- ka thënë ai për KALLXO.com.
Vendimi për emërimin e tij është votuar më 11.09.2024 në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Propozimin para kabinetit qeveritar e ka bërë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Propozimi bazohet në raportin e komisionit vlerësues për zhvillimin e të gjitha fazave të procedurave të pozitave të larta drejtuese, përkatësisht për zgjedhjen e kandidatit të suksesshëm për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, z. Gafurr Dugolli sipas konkursit të shpallur më 19 mars 2024”- tha Maqedonci.
Gafurr Dugolli ka mbajtur pozitën u.d. i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa, Enver Dugolli është deputet i legjislaturës aktuale në Kuvendin e Kosovës nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai i është bashkuar LVV-së në vitin 2018. Ndërsa nga viti 2020 deri 2021 ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes në Qeverinë Kurti 1.