Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Emërimi i financuesit të LVV-së në RTK, organizatat ndërkombëtare të mediave i shkruajnë Kurtit

Pesë organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në Evropë, Article 19 Europe, European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ), International Press Institute (IPI) dhe Reporters Without Borders (RSF), përmes një letre i janë drejtuar kryeministrit të vendit dhe njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit, për të shprehur shqetësim në lidhje me emërimin e financuesit të LVV-së,  Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

Në letër thuhet se organizatat para votimit nga Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) iu kishin bërë thirrje duke shpresuar se përzgjedhja do të bëhet në bazë të meritës, profesionalizmit dhe pavarësisë e jo në bazë të përkatësive politike.

“Këshilli i Evropës dhe standardet ndërkombëtare për këtë proces janë të qarta: emërimet nuk mund të përdoren për të ushtruar ndikim politik ose ndikim tjetër mbi funksionimin e medias së shërbimit publik. Individët e emëruar në pozitat drejtuese brenda transmetuesve të shërbimit publik duhet gjithashtu të jenë plotësisht të pavarur nga të gjitha partitë politike dhe interesat e veta”- thuhet në letrën e përbashkët.

Në letër thuhet se organizatat kanë monitoruar në mënyrë aktive zhvillimet në transmetuesin publik që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, duke shtuar se kanë përgëzuar LVV-në në nivel të KiE për zgjedhjen e bordit të ri të pavarur “në mënyrë profesionale dhe transparente me përfshirje të plotë të shoqërisë civile”.

“Është jetike që ky përparim i arritur me vështirësi, i udhëhequr nga partia juaj, të mos minohet. Besojmë se për sa kohë që z. Gërvalla shërben si drejtor i televizionit, nuk do të lejojë që ju dhe partia juaj të vazhdoni depolitizimin dhe reformimin e transmetuesit publik”- deklarojnë organizatat.

Sipas organizatave, duhet të organizohet një proces i ri rekrutimi dhe emërimi, me kohë të mjaftueshme për aplikimet, për të siguruar që pozicioni të plotësohet nga një kandidat profesionist dhe i respektuar, pa lidhje me qeverinë apo ndonjë parti politike.

Ditëve të fundit pati reagime për emërimin e Rilind Gërvallës, financuesit të Lëvizjes Vetëvendosje si drejtor i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

KALLXO.com raportoi se Gërvalla kishte qenë financues i Lëvizjes Vetëvendosje më 2020 dhe ishte parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie dhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.

Sipas rregullores për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë të RTK-së, kandidati duhet të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike në tri vitet e fundit.

Ndaj këtyre raportimeve ka reaguar vetë Gërvalla, i cili raportimet i ka quajtur sulme politike dhe fabrikime.

Ai ka thënë se do të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta siç i ka quajtur ai të bëra në emrin e tij.

“Pas sulmeve publike të këtyre ditëve, të bazuar në propagandë dhe fabrikim, jam pak i indinjuar, por më shumë i brengosur se në ç’masë kanalet e komunikimit në ditët e sotme arrijnë ta bëjnë ndërmjetësin e interesave të caktuara pa bërë hulumtim të detajuar. Për hir të korrektësisë mediatike, do të më duhet të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim”- ka shkruar Gërvalla.

Rilind Gërvalla ka thënë se është zgjedhur drejtor i kanaleve shqip në RTK pas pesë herë radhazi ndërsa theksoi se tash e 23 vite ishte pjesë e RTK-së në pozita të ndryshme.

Gërvalla, raportimet i ka quajtur sulme politike dhe fabrikime.

Në konkursin për drejtor të kanalit shqip në RTK 1, 3 dhe 4 kishin konkurruar gjashtë kandidatë, ndërsa katër nga ta kishin plotësuar kriteret për intervistë. Më i poentuari nga komisioni ishte zgjedhur Rilind Gërvalla.

Për ‘lidhjet’ e Gërvallës me LVV-në, dhe raportimet në media për të, Ahmetxhekaj tha se kanë kërkuar sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje nëse ai ka qenë pjesë e strukturave apo forumeve drejtuese në tri vitet e fundit.

Ai tha se një arsye shtesë për të kërkuar sqarime ka qenë edhe mundësia e manipulimit të fotografive.

Ahmetxhekaj sqaroi se LVV ka thënë se Gërvalla në periudhën e cekur nga RTK nuk ka qenë pjesë e strukturave të këtij subjekti.

Financuesi i Vetëvendosjes zgjidhet drejtor i kanalit në gjuhën shqipe RTK1, 3 dhe 4